Presidenti finlandez Alexander Stubb dhe kryeministri norvegjez Jonas Gahr Støre zhvilluan të martën një bisedë telefonike “profesionale dhe të drejtpërdrejtë” me Presidentin rus Vladimir Putin, gjatë së cilës, sipas Stubb-it, Finlanda dhe Norvegjia i përcollën Presidentit rus mesazhe nga vendet nordike.
Udhëheqësit e telefonuan Putinin për t’i kërkuar t’i japë fund luftës në Ukrainë, duke shkëputur kështu një praktikë të kahershme të liderëve të Evropës Perëndimore për të shmangur kontaktet e drejtpërdrejta me Kremlinin.
Duke folur në hapjen e një takimi të Këshillit Nordik në Helsinki, Stubb tha se ai dhe Støre kishin biseduar në telefon me Putinin, e më pas edhe me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky. Ai e përshkroi bisedën si “profesionale dhe të drejtpërdrejtë”.
Forcat e armatosura të Rusisë dhe Ukrainës kanë rënë dakord për një armëpushim lokal për të lejuar një operacion ndihme në qytetin e vijës së frontit Oleshky në pjesën e kontrolluar nga Rusia të rajonit ukrainas Kherson. Pala ruse konfirmoi gjatë natës se një armëpushim përreth qytetit, i cili ka qenë i mbyllur për muaj të tërë, filloi në orën 3:00 të mëngjesit dhe do të zgjasë për aq kohë sa zgjat një operacion humanitar, shkruan A2.
Por ndërsa armëpushimi po hynte në fuqi në Oleshky, dolën raportime për disa raketa balistike që u qëlluan drejt Kievit. Ushtria ukrainase njoftoi të martën se raketa balistike ishin lëshuar në drejtim të kryeqytetit ukrainas. Më vonë, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se një urë kyçe e Dnipros ishte dëmtuar në një sulm rus ndaj kryeqytetit ukrainas.
Sulmi goditi urën jugore mbi lumin, deklaroi Klitschko në Telegram. Ai shtoi se edhe infrastruktura e metrosë në urë është dëmtuar. Shërbimi i trenit përgjatë urës është pezulluar, shtuan autoritetet e qytetit.
Kremlini tha se as nuk mund të konfirmonte dhe as të mohonte një raport të Bloomberg se Presidenti i Rusisë , Vladimir Putin, dhe udhëheqësit e Norvegjisë dhe Finlandës mund të flasin që të martën (27 tetor) për të diskutuar perspektivat për një marrëveshje paqeje në Ukrainë. (A2 Televizion)