Trump vendos kushtet për udhëheqësin e ri të Iranit: Duhet të trajtojë mirë SHBA-në dhe Izraelin

Nga A2 CNN
6 Mars 2026, 16:45 | Bota

Trump vendos kushtet për udhëheqësin e ri të Iranit: Duhet

Presidenti i Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, deklaroi se lidershipi i Iranit është “neutralizuar” dhe se vendi ka nevojë për një udhëheqje të re që do të mbajë marrëdhënie të mira me SHBA-në dhe Izraelin.

Në një intervistë të shkurtër telefonike për CNN, Trump tha se situata në Iran ka ndryshuar ndjeshëm brenda një kohe shumë të shkurtër.

“Irani nuk është i njëjti vend që ishte një javë më parë. Një javë më parë ata ishin të fuqishëm dhe tani janë neutralizuar vërtet”, u shpreh ai.

Trump theksoi gjithashtu se beson se zgjedhja e një udhëheqësi të ri për Iranin mund të bëhet lehtësisht dhe shtoi se edhe ai vetë duhet të ketë rol në këtë proces.

Ai e krahasoi këtë situatë me zhvillimet në Venezuela, duke përmendur rastin e presidentit Nicolás Maduro, për të cilin tha se u kap në fillim të këtij viti dhe u zëvendësua nga zëvendësi i tij.

Presidenti amerikan u shpreh se nuk do ta kishte problem që Irani të udhëhiqej edhe nga një lider fetar, nëse ai do të ishte i drejtë dhe bashkëpunues.

“Nuk më shqetësojnë udhëheqësit fetarë. Kam të bëj me shumë udhëheqës fetarë dhe ata janë fantastikë”, tha Trump.

I pyetur nëse ai këmbëngul që Irani të jetë një shtet demokratik, Trump u përgjigj se për të më e rëndësishme është që udhëheqësi i ri të jetë “i drejtë dhe i ndershëm”, duke shtuar se ai duhet të trajtojë mirë SHBA-në, Izraelin dhe vendet e tjera të Lindjes së Mesme.

Duhet të ketë një udhëheqës që do të bëjë një punë të shkëlqyer dhe do të trajtojë mirë Shtetet e Bashkuara, Izraelin dhe partnerët tanë në rajon”, theksoi ai. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos