Trump: Zelenskyy nuk është gati të pranojë marrëveshjen e paqes

Nga A2 CNN
8 Dhjetor 2025, 07:15 | Bota

Trump: Zelenskyy nuk është gati të pranojë marrëveshjen

Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi se Volodymyr Zelenskyy “nuk është gati” të nënshkruajë propozimin e hartuar nga SHBA për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës, pas tre ditësh negociatash intensive në Florida, shkruan A2 CNN. Sipas Trump, ekipi ukrainas e ka pritur pozitivisht draftin, por presidenti Zelenskyy ende nuk e ka lexuar plotësisht.

Bisedimet e fundit mes delegacioneve amerikane dhe ukrainase u mbyllën të shtunën pa një përparim të dukshëm. Zelenskyy i përshkroi diskutimet si “konstruktive, por jo të lehta”, ndërsa theksoi se pozicionet themelore të Ukrainës mbeten të pandryshuara, veçanërisht për çështjet e sigurisë dhe territorit.

Të hënën, Zelenskyy pritet të takohet në Londër me kryeministrin britanik Keir Starmer dhe udhëheqësit e Francës e Gjermanisë, me fokus të veçantë te negociatat e vazhdueshme me SHBA. Starmer ka theksuar vazhdimisht se vetëm Ukraina mund të vendosë për të ardhmen e saj, ndërsa një forcë paqeruajtëse evropiane mund të luajë rol kyç në garantimin e sigurisë së saj.

SHBA, pas marrëveshjes së ndërmjetësuar në Gaza, po përpiqet të finalizojë një plan paqeje mes Kievit dhe Moskës. Megjithatë, pavarësisht deklaratave optimiste nga administrata Trump, as Ukraina dhe as Rusia nuk kanë treguar vullnet të qartë për të firmosur një marrëveshje ku ende mbeten të pazgjidhura çështje jetike si territori i pushtuar nga Rusia dhe kontrolli mbi termocentralin bërthamor të Zaporizhzhias. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos