
Të paktën 25 persona kanë humbur jetën në një zjarr që ra në një klub nate në Goa, një shtet indian i njohur për jetën e natës dhe turizmin.
Disa turistë ishin midis 25 të vdekurve në zjarrin, i cili shpërtheu rreth mesnatës në Birch by Romeo Lane, një restorant, bar koktejesh dhe klub i njohur në Arpora, një lagje në veri të Goas.
"Sot është një ditë shumë e dhimbshme për të gjithë ne në Goa. Vizitova vendin e incidentit dhe kam urdhëruar një hetim për këtë incident. Ata që gjenden përgjegjës do të përballen me masat më të rrepta sipas ligjit - çdo neglizhencë do të trajtohet me vendosmëri", tha kryeministri i Goas, Pramod Saëant.
Mediat ndërkombëtare bëjnë të ditur se zjarri filloi në katin e parë dhe më pas përfshiu pjesën tjetër të ndërtesës. Një hetim paraprak nga policia sugjeroi se shumica e atyre që vdiqën ishin bllokuar në zonën e bodrumit të klubit dhe ishin mbytur.
Shumica e të vdekurve ishin punëtorë të klubit që kishin qenë në bodrum në kohën e zjarrit, thanë zyrtarët, ndërsa në mesin e tyre janë edhe disa turistë.
Zjarrfikësit punuan gjatë gjithë natës për të shuar zjarrin dhe për të shpëtuar ata që ishin bllokuar. Imazhet nga vendi i ngjarjes treguan flakë të mëdha që përshkonin ndërtesën, ndërsa në mëngjes ishte shkrumbuar e gjitha.
Kryeministri indian, Narendra Modi, e përshkroi zjarrin si “thellësisht trishtues”.
Goa, një ish-koloni portugeze në brigjet e Detit Arabik, tërheq miliona turistë indianë dhe ndërkombëtarë çdo vit me jetën e saj të natës, plazhet me rërë dhe atmosferën e qetë bregdetare. Sipas të dhënave qeveritare, rreth 5.5 milionë turistë vizituan Goën në gjysmën e parë të këtij viti, me 270,000 vizitorë nga jashtë vendit. (A2 Televizion)