Trupat gjermane do të garantojnë sigurinë e Ukrainës? Berlini lë të hapur mundësinë

Nga A2 CNN
17 Gusht 2025, 19:49 | Bota

Trupat gjermane do të garantojnë sigurinë e Ukrainës?

Zëvendëskancelari, Ministri i Financave dhe kreu i Partisë Socialdemokrate (SPD) Lars Klingbeil la të hapur mundësinë e pjesëmarrjes së Gjermanisë  në forcat e mundshme që do të ndërmarrin zbatimin e garancive të sigurisë për Ukrainën, megjithatë, duke theksuar arritjen e një armëpushimi si qëllimin kryesor.

"Pas armëpushimit, gjithçka mund të diskutohet, përfshirë garancitë evropiane të sigurisë për Ukrainën", tha politikani socialdemokrat në intervistën e tij në kanalin e dytë të televizionit publik gjerman ZDF.

Kur u pyet nëse Gjermania dhe Evropa duhet të dërgojnë trupa në Ukrainë për të siguruar paqen, ai tha: "Sigurisht, ne gjithashtu duhet të marrim përgjegjësi si evropianë kur bëhet fjalë për garancitë e sigurisë, qofshin ato trupa, trajnimi i ushtrisë ukrainase, ndihma financiare apo çështje të tjera, gjithçka duhet të sqarohet në ditët në vijim".

Garancitë e sigurisë janë një element qendror i një zgjidhjeje të negociuar", shtoi ai.

I pyetur nëse, si ministër i Financave, do të donte të kishte akses në asetet ruse të “ngrira” në Perëndim, Klingbeil tha: “Emocionalisht po, por ligjërisht është shumë e vështirë”.

Ai po ashtu vuri në dukje se “është gjetur një zgjidhje, të paktën për aksesin në interes”.

Kur u pyet për pjesëmarrjen e Bundeswehr-it në një forcë garancie sigurie për Ukrainën pas një marrëveshjeje me Rusinë, shefi i politikës së jashtme të Partisë Kristian Demokratike (CDU), Roderick Kiesewetter, i tha BILD se “e vetmja garanci e besueshme afatgjatë e sigurisë për Ukrainën do të ishte anëtarësimi në NATO, sepse ofron mbrojtje bërthamore, ndërsa vendosja e trupave do të ishte gjithashtu e nevojshme, për të cilën Gjermania sigurisht që do të duhej të kontribuonte”.

Për të njëjtën pyetje, zëvendëskryetarja e grupit parlamentar të SPD-së, Siemtje Möller, e vuri rolin e SHBA-së në plan të parë.

Kontributi i SHBA-së është qendror për të gjitha garancitë e sigurisë. Ne evropianët do të kontribuojmë gjithashtu ndjeshëm, por është ende e paqartë se në çfarë mënyre. Detajet se si do të strukturohet kjo do të diskutohen sapo Rusia të ndalojë luftën e saj dhe të fillojnë negociatat për një paqe të drejtë për Ukrainën”, tha ajo për BILD. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos