Vlerësimet e OKB-së thonë se të paktën 650,000 njerëz mbeten në Qytetin e Gazës ndërsa Izraeli përshkallëzon ofensivën e tij.
Sipas mediave të huaja, mijëra palestinezë po vazhdojnë të largohen nga qyteti i Gazës, ndërsa ofensiva e madhe tokësore e Izraelit që synon pushtimin e zonës hyn në ditën e dytë.
Izraeli thotë se qëllimi i tij është të lirojë pengjet e mbajtura nga Hamasi dhe të mposhtë deri në 3,000 luftëtarë në atë që e përshkruan si "bastioni i fundit" i grupit, por ofensiva ka marrë dënim të gjerë ndërkombëtar.
Udhëheqësit e më shumë se 20 agjencive kryesore të ndihmës, përfshirë Save the Children dhe Oxfam, paralajmëruan se "situata ç’njerëzore në Gaza është e papranueshme".
Kjo vjen një ditë pasi një komision hetimor i OKB-së arriti në përfundimin se Izraeli kishte kryer gjenocid kundër palestinezëve në Gaza, një akuzë që qeveria izraelite e mohoi me force, shkruan A2 CNN.
Mes bombardimeve në shkallë të gjerë izraelite, Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e drejtuar nga Hamasi, tha se spitali i fëmijëve al-Rantisi në qytetin e Gazës u shënjestrua në tre sulme të ndara izraelite të martën në mbrëmje, duke bërë që rreth gjysma e pacientëve të largoheshin.
Një burim në spital tha se nuk kishte të lënduar, por njësitë e ajrit të kondicionuar, rezervuarët e ujit dhe panelet diellore u dëmtuan rëndë.
"Ky spital është i vetmi objekt i specializuar për fëmijët me kancer, probleme të veshkave dhe gjendje të tjera kërcënuese për jetën", tha Fikr Shalltoot, drejtor i organizatës bamirëse Ndihmë Mjekësore për Palestinezët në Gaza.
Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF) thanë se po shqyrtonin raportet, përcjell A2 CNN. (A2 Televizion)