
Nga ministria e Arsimit, e cila prej 7 ditësh është bërë objekt i sulmit nga protestuesit, kryeministri Edi Rama deklaroi se protestat po shfrytëzohen për të krijuar perceptimin se lidhen me arsimin, por sipas synojnë të nxisin dhunë dhe të destabilizojnë vendin.
“Institucioni i cili është bërë objekt i sulmit dhe agresionit të vërtetë është vendosur në qendër të vëmendjes për një arsye, për të kamufluar ç’ka në të vërtetë është në durimin e helmuar të kësaj proteste. Për të krijuar idenë që kjo është një protestë për arsimimin, për të justifikuar kësisoj këtë valë dhune që s’ka të bëjë me nxënësit e studentët, por me një grup njerëzish ku ka nga të gjithë”, deklaroi Rama, raporton A2 CNN.
Në takimin me ministren Mirela Kumbaro dhe 25 drejtuesit e gjimnazeve të Tiranës, kreu i qeverisë tha se në grupet që përfshihen në akte dhune dhe që ushtrojnë presion ndaj policisë ka edhe studentë të ekstremizuar në bindjet e tyre politike. Sipas tij e drejta për të protestuar nuk duhet ngatërruar me aktet e dhunshme.
“Në atë grup që agreson policinë, që mban në një presion terrori qytetin, ka dhe studentë të cilët janë të ekstremizuar në pikëpamjet e tyre, që i përkasin rrymave të reja të ekstremizmit politik, por problemi nuk janë dhe s’do jenë asnjëherë as studentët, as qytetarët që ushtrojnë të drejtën e protestës. Ushtrimi i të drejtës për të protestuar është një liri kushtetuese e pakuptimtë për askënd”, u shpreh kryeministri, shkruan A2 CNN.
Edhe në këtë takim Rama kishte marrë sërish me vete një gur për të argumentuar rrezikun që, paraqesin aktet e dhunës gjatë protestave, por edhe për të bërë dallimin sipas tij mes të drejtës së protestës dhe shtetit.
“Kam marrë përsëri me vete këtë gur, sepse kur e mban në dorë, dhe imagjinoni peshën që ky merr kur gjuhet drejt trupave të policisë, është një armë që mund të shkaktojë dhe një tragjedi. Ky gur është objekti që ndan dy anët e kësaj historie dhe objekti që përcakton se ku mbaron e drejta e protestës dhe ku fillon e drejta e shtetit për të marrë në mbrojtje qytetarët e vet, ata që duan të shkojnë në punë shkollë dhe për të marrë në mbrojtje të ardhmen e këtij vendi”.
(A2 Televizion)