“Turp që na mbyllët bazat!”, Hegseth shpërthen kundër NATO-s: Rishikojmë praninë në Europë

Nga Rosalba Bejdo
18 Qershor 2026, 12:25 | Bota

“Turp që na mbyllët bazat!”, Hegseth shpërthen

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, kritikoi ashpër aleatët e NATO-s lidhur me shpenzimet për mbrojtjen dhe qëndrimet ndaj luftës në Iran, teksa njoftoi një rishikim të pranisë ushtarake amerikane në Evropë.

Ai tha se vendet evropiane duhet të marrin më shumë përgjegjësi për sigurinë e tyre. Hegseth paralajmëroi se SHBA-ja mund të pezullojë disa nga kontributet e saj ndaj NATO-s nëse aleatët që “përfitojnë pa kontribuar” nuk përmbushin angazhimet për rritjen e shpenzimeve të mbrojtjes.

Duke folur para ministrave të Mbrojtjes në selinë e NATO-s në Bruksel, ai tha se rishikimi mund të zgjasë deri në gjashtë muaj dhe do të përfshijë konsultime me Kongresin amerikan.

“Mos kini asnjë dyshim: ky do të jetë një rishikim i vërtetë. Ai do të hartohet për të siguruar që NATO po ecën shpejt dhe në mënyrë të pakthyeshme drejt një modeli ku Evropa merr drejtimin dhe ngrihet për të marrë përgjegjësinë kryesore për mbrojtjen e Evropës”, tha Hegseth.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes shtoi më tej se Evropa duhet të marrë drejtimin në ndërtimin e një “NATO 3.0”, siç e quajti ai, dhe në krijimin e një “aleance ushtarake të vërtetë dhe të ashpër”, të aftë për t’iu përgjigjur çdo kërcënimi, shkruan A2 CNN.

Ai qortoi aleatët pasi, sipas tij, dështuan t’u siguronin forcave amerikane akses në bazat evropiane për të ndërmarrë sulme ndaj Iranit. Hegseth e cilësoi si të turpshëm një qëndrim të tillë.

“SHBA-ja ka mbrojtur Evropën për breza të tërë. Presidenti tha se avionët tanë do të duhet të ngrihen nga bazat në Evropë ose anijet tona nga portet evropiane për të goditur objektiva në Lindjen e Mesme, objektiva iraniane që kërcënojnë interesat evropiane edhe më drejtpërdrejt sesa tonat. Por shumë prej aleatëve tanë thanë jo, ose u përpoqën të na mbytnin në debate të ndërlikuara ligjore, ose na kritikuan publikisht për atë që vetë nuk janë të gatshëm apo të aftë ta bëjnë. Ishte e turpshme”, tha ai.

Hegseth e shfrytëzoi gjithashtu fjalën e tij në takim për të sulmuar politikat evropiane mbi migracionin dhe barazinë gjinore. Deklaratat e tij ngjanin me ato të zëvendëspresidentit amerikan, JD Vance, në shkurt të vitit të kaluar, të cilat shkaktuan pakënaqësi dhe reagime të forta në Evropë.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, theksoi të enjten se aleanca kishte shpenzuar 90 miliardë dollarë më shumë për mbrojtjen krahasuar me vitin e kaluar, një rritje prej 20 për qind.

Sipas tij, ministrat ranë dakord për të fuqizuar parandalimin bërthamor duke modernizuar kapacitetet bërthamore të NATO-s. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos