Turqia ka deklaruar të hënën se aleatët e NATO-s duhet të përdorin samitin e korrikut në Ankara për të “rifreskuar” marrëdhëniet me presidentin amerikan Donald Trump dhe për t’u përgatitur për një ulje të mundshme të angazhimit amerikan në aleancë.
Ministri i Jashtëm turk Hakan Fidan tha se Ankaraja beson se Trump do të marrë pjesë në samitin e liderëve të NATO-s më 7–8 korrik, për shkak të “respektit personal” që ka për presidentin turk Recep Tayyip Erdoğan, edhe pse ai mund të jetë i pavullnetshëm për të marrë pjesë.
Sipas Fidanit, Trump ka kritikuar prej vitesh NATO-n dhe së fundmi ka kërcënuar se SHBA mund të tërhiqet nga aleanca për shkak të refuzimit të disa vendeve evropiane për të dërguar anije për të zhbllokuar Ngushticën e Hormuzit pranë Iranit. Kjo ka shtuar tensionet brenda aleancës, së bashku me qëndrimet e tij të mëparshme për Groenlandën.
Fidan deklaroi për agjencinë shtetërore Anadolu Agency se vendet anëtare kanë kohë që i shihnin kritikat e Trump si retorikë, por tani po planifikojnë edhe skenarin e një reduktimi të mundshëm të rolit të SHBA-së dhe po forcojnë kapacitetet e tyre mbrojtëse.
“NATO duhet ta kthejë samitin në Ankara në një mundësi për të vendosur marrëdhëniet me SHBA-në mbi një bazë më sistematike,” tha ai. “Nëse do të ketë tërheqje të SHBA-së nga disa mekanizma të NATO-s, duhet të ketë një plan dhe program tranzicioni, në mënyrë që askush të mos mbetet i ekspozuar,” shtoi ai.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte ka deklaruar se i kupton frustrimet e Trump ndaj aleancës, por theksoi se “shumica e vendeve evropiane” kanë ndihmuar përpjekjet e SHBA-së në luftën në Iran.
Një zyrtar i lartë i Shtëpisë së Bardhë i tha Reuters javën e kaluar se Trump, i pakënaqur me NATO-n, ka shqyrtuar edhe mundësinë e tërheqjes së disa trupave amerikane nga Evropa. (A2 Televizion)