
Duke folur për strehimin në kuvend, kryeministri Edi Rama pranoi problemet me rindërtimin dhe tha se Bashkia e Tiranës ka dy vite pa kokë, duke bërë që një shumë e madhe fondesh për nuk është vënë ende në përdorim.
“Nëse ka një proces rindërtimi për të qenë krenar, është ai i rindërtimit në Shqipëri. Kemi problem me rindërtimin në Bashkisë së Tiranës, sepse ka dy vjet pa kokë. Një shumë e madhe nuk është vënë në lëvizje”, tha Rama.
Kreu i qeverisë u ndal edhe te politikat e strehimit, duke njoftuar se do të ketë një ligj që synon ta bëjë banesën më të përballueshme, veçanërisht për çiftet e reja. Sipas tij, rreth 10 mijë familje do të përfitojnë nga qasja e re.
"Një ligj, që ne do të kemi transformim rrënjësor ndaj qasjes së strehimit. Flasim për strehimin e përballueshëm. Nuk mund ta pranojmë si normalitet, që një çift i ri, ku të dy punojnë, kontribuojnë me taksa, përpiqen ta shohin të ardhmen në Shqipëri, ta kenë gjithmonë e më vështirë të kenë një çati. Një qytet mund të bëhet më i shtrenjtë nga zhvillimi, por nuk mund të bëhet i paarritshëm për njerëzit që jetojnë aty. Prandaj duhet PS, prandaj duhemi ne në këtë mes. Në total 10 mijë familje do të përfitojnë nga kjo qasje e re për strehimin".
Rama bëri të ditur se në këtë politikë do të përfshihet edhe zgjerimi i fondit të banesave publike, si dhe rritja e taksës për apartamentet bosh, duke marrë në konsideratë edhe pronat e blera nga shtetas të huaj.
“Nga ana tjetër, ne do të përfshijmë në këtë politikë, edhe zgjerimin e stokut të banesave që ndërtohet nga fondi i strehimit. Për të rritur taksën për apartamentet bosh, duke pasur parasysh ata që janë blerës të huaj".
(A2 Televizion)