Pasi dha bekimin e fundit “Urbi et orbi” të dielën e Pashkëve nga katedralja e “Shën Pjetrit” në Vatikan, Papa Francesku u kthye në shtëpinë e Atit.
Kjo ishte një pjesë nga deklarata e Kishës Katolike në Shqipëri me të marrë njoftimin për ndarjen nga jeta të Papa Franceskut. Edhe kambanat e kishave katolike në vendin tonë nisën të bien në shenjë zie.
Nga Shkodra, Konferenca Ipeshkvnore vendosi nisjen e lutjeve në çdo kishë katolike të vendit.
Në katedralen e “Shën Palit” në Tiranë e Hëna e Pashkëve nisi me ceremoni pagëzimi të planifikuara për këtë ditë të shenjtë pas Ringjalljes së Jezu Krishtit. Me të mësuar për lajmin e hidhur, besimtarë katolikë shprehën trishtim për ndarjen nga jeta të Papa Franceskut.
Në deklaratën e saj Kisha katolike vlerësoi vizitën e Papa Franceskut në Shqipëri më 21 shtator 2014 si vendin e parë europian pak pasi ishte zgjedhur në krye të Kishës.
Në atë vizitë, Ati i Shenjtë shprehu vlerësimin për bashkëjetesën fetare në Shqipëri, mbështetje dhe përkujdesje të vazhdueshme për Shqipërinë.
Pasi bekoi popullin popullin shqiptar, duke e cilësuar si ndër popujt më të vjetër në dritën e ungjillit, Papa Francesku kujtoi 40 martirët e kishës katolike, portretet e të cilëve ishin të varur përgjatë gjithë bulevardit “Dëshmoret e Kombit” ku Ati i Shenjtë kaloi. (A2 Televizion)