U rrit niveli i stresit! "Uss Lincoln" pas 286 ditësh në tokë, ankorohet në Tajlandë

Nga Erjon Dervishi
2 Shtator 2026, 16:10 | Bota

Aeroplanmbajtësja e Marinës së SHBA-së, "Abraham Lincoln", mbërriti të mërkurën në portin kryesor të Tajlandës pas 286 ditësh në det, mes raportimeve për shqetësime të shëndetit mendor dhe përkeqësim të kushteve në bord.

"Lincoln", me rreth 5,000 marinarë dhe marinsa, mori pjesë në bllokadën detare amerikane dhe në operacione luftarake gjatë tensioneve me Iranin. Ajo vendosi një rekord të kohëve moderne për numrin e ditëve të njëpasnjëshme në det. E shoqëruar nga anije të tjera detare amerikane, aeroplanmbajtësja me energji bërthamore do të qëndrojë në Tajlandë, i vetmi partner me traktat i Shteteve të Bashkuara në Azinë Juglindore kontinentale – për pushim dhe rikuperim; qëndrimi do të zgjasë pesë ditë, sipas zyrtarëve tajlandezë.

"Lincoln" u dislokua në nëntor të vitit të kaluar. Zakonisht, dislokimet detare zgjasin nga gjashtë deri në nëntë muaj, por ato mund të zgjaten në kohë konflikti.

Tajlanda u bë aleate e SHBA-së përmes një traktati në vitin 1954, ndërsa në vitin 2003 u përcaktua si aleate kryesore jashtë NATO-s. Ushtritë e të dyja vendeve ruajnë marrëdhënie të forta dhe zhvillojnë stërvitje të përbashkëta vjetore.

Bangkoku e ka bërë të qartë se vizita nuk lidhet me konfliktin në Lindjen e Mesme dhe se ndalesa në port shërben për pushim, rikuperim dhe logjistikë, në përputhje me detyrimet e traktatit. Anija "Lincoln" – me kuvertën e saj të gjerë të mbushur me helikopterë dhe avionë luftarakë, përfshirë avionët më të fundit luftarakë F-35 – mbërriti në Laem Chabang herët të mërkurën.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos