Haxhiu liron nga detyra 18 gjyqtarët serbë që dhanë dorëheqje më 2022

Nga A2 CNN
2 Shtator 2026, 16:33 | Aktualitet

Haxhiu liron nga detyra 18 gjyqtarët serbë që dhanë

Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, njoftoi se ka liruar nga detyra të 18 gjyqtarëve serbë, që dhanë dorëheqje në vitin 2022.

Këtë vendim ajo e mori pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), i cili më 27 gusht vendosi për kërkesën e gjyqtarëve serbë të cilët kishin kërkuar të tërhiqnin vendimin e dorëheqjes.

Vendimi për lirimin nga detyra të gjyqtarëve serbë vjen pasi Haxhiu në korrik liroi nga detyra shtatë prokurorë serbë që kishin dhënë dorëheqje më 2022, përcjell A2.

Rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë të sistemit të drejtësisë kishin dhënë dorëheqje në fund të nëntorit 2022, në kuadër të largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në katër komunat me shumicë serbe në veri - Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.

Ky veprim - i nxitur nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që mbështetet nga Beogradi - erdhi në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’i hequr nga përdorimi targat e automjeteve të lëshuara nga Serbia dhe për t'i zëvendësuar ato me targa të Kosovës.

BE-j ka kërkuar që çështja e riintegrimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr serbë të zgjidhet në kuadër të dialogut mes dy vendeve fqinje, por Kosova dëshiron t’i lirojë ata nga detyra dhe t’i plotësojë vendet e tyre përmes konkurseve të reja për gjyqtarë dhe prokurorë serbë.

Pas vendimit të KGJK-së për të refuzuar kërkesën për tërheqjen e dorëheqjeve, BE-ja reagoi duke shprehur “keqardhje të thellë”.

“Këto vendime duket se nuk janë në përputhje me ligjet në Kosovë, me proceset e rregullta dhe me kërkesat e përgjithshme për sundimin e ligjit në Kosovë”, tha një zëdhënës i BE-së, duke u referuar vendimeve të KGJK-së dhe të Këshillit Prokurorial të Kosovës, organe që refuzuan kërkesat për tërheqjen e dorëheqjeve.

Autoritetet e Kosovës kanë ngulur këmbë se rikthimi i serbëve në institucionet e Kosovës nuk mund të jetë çështje politike, por duhet të trajtohet si çështje juridike dhe kushtetuese.

Pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sot kam liruar nga detyra 18 gjyqtarë serbë, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022./ REL (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos