Gjermania dhe Rusia ndodhen në një kurs të ashpër përplasje mes tyre. Kjo vjen pas akuzave që Berlini ka bërë kundër Moskës, duke e etiketuar si përgjegjëse për një sulm të mundshëm në aeroportin e Leipzig-ut, shkruan A2 CNN. Si masë të parë Gjermania ka ndërmarrë sanksionet. Nga ana e tij, Presidenti rus Vladimir Putin i ka përshkruar sanksionet gjermane kundër Rusisë pas incidentit të bombardimit me dron në aeroportin e Leipzig një “gabim të rëndë”. “Ku janë provat?”, pyeti shefi i Kremlinit në një konferencë për shtyp në Bishkek, Kirgistan. Ai i hodhi poshtë provat e paraqitura deri më tani si "të falsifikuara".
“Besoj se kjo lidhet kryesisht me situatën e brendshme politike në Gjermani. Pozicioni politik i brendshëm i Kancelarit (Friedrich Merz) është i pasigurt. Ai nuk gëzon besimin e qytetarëve të tij dhe arsyeja është e qartë: ai nuk i mbron interesat kombëtare, por i sakrifikon ato. Gabimet në llogaritjet ekonomike janë të dukshme. Bizneset po mbyllen. Njerëzit po humbasin vendet e punës. Niveli i jetesës po bie. Nuk është e qartë pse po ngrihen të gjitha këto akuza. Megjithatë, ekziston vetëm një shpjegim: nevoja për t'iu kundërvënë një Rusie agresive. Por ku janë provat? Epo, ata i kanë sajuar vetë provat”, tha Putin.
Ndërkohë, Ministria ruse e Mbrojtjes i tha agjencisë së lajmeve Interfax në një mënyrë të ashpër se Moska do të reagonte ndaj "vendimit anti-rus" të Gjermanisë për të urdhëruar masa të tilla si mbyllja e Konsullatës së Përgjithshme Ruse në Bon.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, i tha agjencisë shtetërore të lajmeve TASS se do të ketë një përgjigje të përshtatshme nga Moska. Ajo mohoi çdo përfshirje të Rusisë në sulmin e tentuar. Akuzat, tha ajo, ishin një "pretekst i paarsyeshëm dhe i sajuar" nga Berlini për të përshkallëzuar tensionet. "Si zakonisht", shtoi ajo, ato nuk mbështeteshin në asnjë mënyrë nga prova bindëse ose serioze.
Moska e mban Gjermaninë përgjegjëse për përfshirjen e saj në sulmet terroriste kundër qytetarëve rusë, deklaroi Zakharova. "Berlini sponsorizon terrorizmin", tha ajo, duke iu referuar dërgesave të armëve të Gjermanisë dhe miliarda dollarëve ndihmë për Ukrainën. Gjermania është mbështetësja më e madhe e Ukrainës. (A2 Televizion)