Një jelek shpëtimi nga një e mbijetuar e Titanikut del në shitje në një ankand unik

Nga A2 CNN
16 Prill 2026, 15:25 | Bota

Një jelek shpëtimi nga një e mbijetuar e Titanikut del në

Një jelek shpëtimi i veshur nga një e mbijetuar e Titanikut do të dalë në shitje këtë fundjavë, në një ankand të rrallë që përshkruhet si një mundësi “një herë në një brez”.

Jeleku, i cili pritet të shitet për një shumë midis 250,000 paundësh (339,000 dollarë) dhe 350,000 paundësh (474,000 dollarë), është i vetmi i tillë nga një i mbijetuar i tragjedisë së vitit 1912 që del në ankand, sipas shtëpisë britanike të ankandeve Henry Aldridge & Son.

Veshja është përdorur nga Laura Mabel Francatelli, një pasagjere e klasit të parë në anijen historike, e cila u mbyt 114 vite më parë këtë javë.

Kur Titaniku u nis më 10 prill 1912, ai ishte anija më e madhe e pasagjerëve në shërbim dhe konsiderohej “e pambytshme”. Vetëm katër ditë më vonë, udhëtimi i saj i parë u shndërrua në një tragjedi ndërkombëtare kur anija u përplas me një ajsberg në Atlantikun e Veriut në orën 23:40 të 14 prillit. Anija u fundos në më pak se tre orë dhe nuk kishte mjaftueshëm varka shpëtimi për rreth 2,220 personat në bord. Vetëm rreth 700 njerëz mbijetuan.

Francatelli ishte sekretare e stilistes së modës Lucy Duff Gordon dhe po udhëtonte drejt Çikagos me punëdhënësen e saj dhe bashkëshortin e saj, Cosmo Duff Gordon. Të tre mbijetuan pasi arritën të hipnin në varkën e shpëtimit numër një.

E firmosur nga Francatelli dhe të tjerë të shpëtuar në atë varkë, jeleku ngjyrë bezhë ka 12 xhepa të mbushur me kork të bërë nga kanavacë, me mbështetëse për shpatullat dhe rripa anësorë, sipas përshkrimit në faqen e ankandit.

Ai është pjesë e një ankandi më të gjerë me objekte nga Titaniku dhe kompania White Star Line, që do të mbahet këtë fundjavë nga Henry Aldridge & Son.

Drejtori menaxhues i shtëpisë së ankandeve, Andrew Aldridge, tha se është “një nga objektet më ikonike” që ka dalë ndonjëherë në shitje nga kjo anije fatkeqe.

“Thjesht, ky jelek shpëtimi paraqet një mundësi një herë në një brez për koleksionistët; është i vetmi shembull i ofruar ndonjëherë në ankand nga një i mbijetuar i Titanikut,” tha ai në një email për CNN të enjten. “Megjithëse Titaniku u mbyt 114 vite më parë, çdo burrë, grua dhe fëmijë në bord kishte një histori për të treguar, kështu që në thelb kemi mbi 2,200 kapituj, dhe sot ne i paraqesim këto histori përmes këtyre objekteve.”

Sipas Aldridge, jeleku po shitet nga një person që “ka vendosur se ka ardhur koha t’ia kalojë stafetën një koleksionisti tjetër.”

Më parë, ai është ekspozuar në Titanic Belfast, muzeu i vendosur aty ku u ndërtua anija, si dhe në muzeun më të madh të Titanikut në botë në Pigeon Forge, Tennessee. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos