Udhëheqësit e Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Gjermanisë e kanë mirëpritur marrëveshjen për armëpushim në Gaza dhe kanë lavdëruar udhëheqjen e Donald Trump në këtë marrëveshje.
Sipas mediave të huaja, në një deklaratë të përbashkët, E3 tha se është "me rëndësi të madhe" që të gjitha palët të zbatojnë detyrimet e tyre plotësisht dhe pa vonesë.
"Ne jemi të gatshëm të mbështesim bisedimet e mëtejshme mbi fazat e ardhshme të planit dhe të kontribuojmë në të", thuhet në deklaratë.
"Si pjesë e kësaj përpjekjeje, ne pajtohemi që Këshilli i Sigurimit i OKB-së duhet t'i japë mbështetjen e plotë planit dhe të mbështesë zbatimin e tij”, thuhej më tej në deklaratë, shkruan A2 CNN.
"Ne angazhohemi të mbështesim paketa të konsiderueshme ndihme humanitare përmes agjencive të OKB-së, të cilat do të dorëzohen sapo të hyjë në fuqi armëpushimi", përfundonte deklarata. (A2 Televizion)