Ukraina në vështirësi, Gjermania përgjysmon fondet për Kievin: Përdorni asetet ruse

Nga Erjon Dervishi
17 Korrik 2024, 21:17 | Bota

Gjermania do të përgjysmojë ndihmën ushtarake për Ukrainën vitin e ardhshëm. Është ky vendimi që ka marrë shteti më i fuqishëm ekonomikisht i Bashkimit Europian. Në paraqitjen e buxhetit për vitin 2025, Ministri gjerman i financave Christian Lindne, theksoi faktin se financimi i Ukrainës do të jetë kompetencë e G-7.

Vendimi gjerman vjen në një kohë kur kandidati republikan Donald Trump pritet të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë dhe të frenojë mbështetjen për Kievin.

Ndihma gjermane për Ukrainën do të ulet në 4 miliardë euro në vitin 2025 nga rreth 8 miliardë euro në 2024, sipas drafti të buxhetit të vitit 2025 të parë nga Reuters. Gjermania shpreson se Ukraina do të jetë në gjendje të plotësojë pjesën më të madhe të nevojave të saj ushtarake me 50 miliardë dollarë kredi nga të ardhurat e aseteve të ngrira ruse të rënë dakord nga G-7, dhe se fondet e destinuara për armatim nuk do të përdoren plotësisht.

Kambanat e alarmit ranë në të gjithë Evropën këtë javë pasi Trump zgjodhi senatorin JD Vance, i cili kundërshton ndihmën ushtarake për Ukrainën dhe paralajmëroi se Evropa do të duhet të mbështetet më pak tek Shtetet e Bashkuara për të mbrojtur kontinentin.

Çështja e ndihmës për Kievin ka qenë temë debati edhe në Parlamentin Europian. Përfaqësuesit e të djathtës radikale në Francë kanë kundërshtuar propozimin e PE-së e cila thekson se çdo shtet anëtar i BE duhet të ndajë 0.5 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto për Ukrainën.

"Rezoluta që ju po propozoni sot paraqet disa probleme. Fakti që çdo shtet anëtar duhet të ndajë në parim 0.5% të PBB-së së tij vjetore për Ukrainën do të thotë që Franca të investojë 7 miliardë në vit. Ne nuk jemi në favor të ofrimit të armëve që na lejojnë të sulmojmë drejtpërdrejt territorin rus dhe hyrjen e Ukrainës në NATO, këto janë dy opsione që paraqesin rrezik përshkallëzimi me një fuqi bërthamore. Kështu deklaroi presidenti i grupit ‘Patriots for Europe’, Jordan Bardella, në fjalën e tij në seancën plenare të Parlamentit Evropian.

Sakaq, Parlamenti i bën thirrje BE-së dhe vendeve anëtare të rrisin mbështetjen e tyre ushtarake për Ukrainën "për aq kohë sa është e nevojshme dhe në çdo formë të nevojshme".

Gjatë seancës së parë të votimit të legjislaturës së re, Parlamenti Evropian miratoi një rezolutë me 496 vota pro, 137 kundër dhe 47 abstenime, e cila rithekson mbështetjen e vazhdueshme të eurodeputetëve për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës nga kufijtë e saj të njohur ndërkombëtarisht. Kjo është rezoluta e parë e Parlamentit të ri Evropian për Ukrainën. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos