
Papa Leo XIV kremtoi Meshën e Krishtlindjeve në Bazilikën e Shën Pjetrit, një risi e rëndësishme krahasuar me të kaluarën e afërt. Që nga pontifikati i Palit VI, papët në përgjithësi ia kishin besuar këtë kremtim një kardinali, duke rezervuar për vete bekimin Urbi et Orbi në mesditë. Papa i fundit që kremtoi Meshën gjatë ditës, në vitin 1994, ishte Gjon Pali II. Në një apel gjatë mesazhit dhe bekimit "Urbi et Orbi" (drejt qytetit dhe botës) Papa Leo bëri thirrje për t'i dhënë fund të gjitha luftërave globale. Duke folur nga ballkoni qendror i Bazilikës së Shën Pjetrit para mijëra njerëzve në sheshin poshtë, ai vajtoi konfliktet, politike, sociale ose ushtarake, në Ukrainë, Sudan, Mali, Mianmar, Tajlandë dhe Kamboxhia, ndër të tjera.
“Le t’ia besojmë të gjithë kontinentin evropian Princit të Paqes, duke i kërkuar atij që të vazhdojë të frymëzojë një frymë bashkësie dhe bashkëpunimi, në besnikëri ndaj rrënjëve dhe historisë së saj të krishterë, dhe në solidaritet dhe pranim të atyre që janë në nevojë. Le të lutemi në një mënyrë të veçantë për popullin martir të Ukrainës. Le të pushojë zhurma e armëve dhe palët e përfshira, me mbështetjen dhe angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare, të gjejnë guximin për t’u angazhuar në një dialog të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe të respektueshëm”, deklaroi Papa Leoni.
Leo tha se njerëzit në Ukrainë, ku trupat ruse po kërcënojnë qytete kritike për mbrojtjen lindore të vendit, janë "torturuar" nga dhuna. "Uroj që zhurma e armëve të ndalet dhe palët e përfshira, me mbështetjen dhe angazhimin e bashkësisë ndërkombëtare, të gjejnë guximin për t'u angazhuar në një dialog të sinqertë, të drejtpërdrejtë dhe të respektueshëm", tha Papa. Papa, i cili e ka bërë kujdesin për emigrantët një temë kryesore të papatit të tij të hershëm, gjithashtu u ankua për situatën e emigrantëve dhe refugjatëve që "përshkojnë kontinentin amerikan".
“Nga Fëmija i Betlehemit, ne kërkojmë paqe dhe ngushëllim për viktimat e të gjitha luftërave aktuale në botë, veçanërisht për ato që janë harruar, dhe për ata që vuajnë për shkak të padrejtësisë, paqëndrueshmërisë politike, persekutimit fetar dhe terrorizmit. I kujtoj në një mënyrë të veçantë vëllezërit dhe motrat tona në Sudan, Sudanin e Jugut, Mali, Burkina Faso dhe Republikën Demokratike të Kongos”, u shpreh Papa Leoni.
Leo, i cili në të kaluarën ka kritikuar masat e ashpra të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, kundër imigracionit, nuk e përmendi Trumpin. Në një predikim në prag të Krishtlindjeve të mërkurën, Papa tha se refuzimi për të ndihmuar të varfrit dhe të huajt ishte i barabartë me refuzimin e vetë Zotit. (A2 Televizion)