“Kryeministri izraelit duhet të dënohet me vdekje”. Kështu deklaron lideri suprem i Iranit, Ajatollahu Ali Khamenei, duke theksuar se urdhërarresti i lëshuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale ndaj Benjamin Netanjahut për krime të dyshuara lufte kundër palestinezëve, nuk mjafton.
Në një deklaratë, të bërë publike nga forca paramilitare Basij, një divizion brenda Trupës së Gardës Revolucionare Islamike, dhe të raportuar nga agjencia iraniane e lajmeve Tasnim, Khamenei zotohet se “Izraeli armik nuk do të fitojë në Gaza dhe në Liban”.
“Bombardimi i shtëpive të civilëve në Gaza dhe Liban nuk është një fitore. Budallenjtë nuk duhet të mendojnë se vetëm sepse bombardojnë shtëpitë, spitalet dhe komunitetet e njerëzve, ata kanë fituar. Jo, askush nuk e konsideron këtë një fitore. Ajo që bënë sionistët është një krim lufte”, tha Ali Khamenei.
Kjo deklaratë vjen pas raportimeve se qeveria në Teheran po përgatit atë që e konsideron “reagim të përshtatshëm ndaj sulmit izraelit të 28 tetorit kundër Iranit”.
Një këshilltar i liderit suprem theksoi se gjithçka po planifikohet në mënyrë shumë sekrete. Kjo vjen në një kohë kur Izraeli vazhdon sulmet ndaj Libanit. Bombardime të fuqishme raportohen në periferi të kryeqytetit Bejrut.
Ushtria e shtetit hebre lëshoi një thirrje për evakuim të civilëve, pas disa shënjestrimeve të dhunshme kundër zonave që pretendohen se kontrollohen nga Hezbollahu.
Ndërkohë, CNN, duke cituar burime rajonale, raporton se një marrëveshje armëpushimi mes Izraelit dhe grupimit militant të Hezbollahut është “shumë afër”. Më shumë se 3 mijë njerëz janë vrarë nga sulmet izraelite në Liban që pas shpërthimit të luftës në mesin e shtatorit. (A2 Televizion)