Valë sulmesh në Ukrainë, Putin hakmerret për anijen në Krime me raketa hipersonike e kruz

Nga Rosalba Bejdo
29 Dhjetor 2023, 12:46 | Bota

Rusia intensifikon luftën në Ukrainë në ditët e fundit të 2023-shit. Një valë sulmesh raketore dhe me dronë shënjestruan disa qytete ukrainase gjatë natës, me sirenat e alarmit që u dëgjuan në Kiev, Odesa, Dnipropetrovsk, Kharkiv dhe Lviv në orët e para të së premtes.

Të paktën dy persona mbetën të vrarë dhe disa të tjerë u plagosën përreth vendit. Forcat ajrore të Kievit njoftuan se Rusia kishte përdorur raketa kruz, hipersonike dhe balistike, përfshirë ato të llojit X-22, të cilat janë ekstremisht të vështira për t'u interceptuar.

Rrezja e sulmit ka qenë e gjerë ku në shënjestër janë vënë edhe qytete të largëta, si Lvivi kufitar me Poloninë. Kryebashkiaku i Kievit Vitali Kliçko deklaroi në telegram se 7 persona ishin shtruar në spital dhe se 3 të tjerë gjendeshin nën rrënojat e një magazine.

Sipas tij, ishte goditur edhe një stacion metroje që shërbente si vendstrehim ndaj sulmeve ajrore. Kryebashkiaku i Kharkivit, Igor Terekhov, foli për një person të vrarë dhe disa të plagosur në një seri sulmesh që dëmtuan një spital dhe godina banimi.

Sulmet, gjatë natës, erdhën pasi Ukraina goditi një luftanije ruse në portin e Fedosias në gadishullin e pushtuar të Krimesë.

Ato pasuan gjithashtu lajmin se Shtetet e Bashkuara kishin aprovuar një ndihmë të re ushtarake prej 250 milionë dollarë, që përfshin edhe municione të mbrojtjes ajrore.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos