Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka folur sot për mediat gjatë një konference të përbashkët me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, në kuadër të samitit të aleancës në Hagë.
Në fokus të deklaratës së presidentit amerikan ishte çështja e Iranit, pas operacionit ushtarak të koduar “Midnight Hammer”, që synoi objektet bërthamore. Trump u pyet nga gazetarët në lidhje me një raport të deklasifikuar që sugjeron se Irani mund të ketë ende kapacitete të fshehta për pasurimin e uraniumit.
“Askush nuk e di me siguri,” tha Trump, “por një gjë është e qartë – objektet që goditëm u shkatërruan plotësisht. Kemi arritur një shkatërrim total, siç nuk është parë më parë në një operacion të tillë.”
Trump theksoi se, sipas vlerësimit të tij, “Irani nuk do të ndërtojë armë bërthamore për një kohë shumë të gjatë”, shkruan A2 CNN.
Ndërkohë, Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, që po e shoqëron Trump në këtë samit, deklaroi se misioni ishte “i përsosur” dhe shkaktoi “shkatërrim të jashtëzakonshëm”.
“Çdo analizë që thotë të kundërtën,” shtoi Hegseth, “ka motive të tjera.” (A2 Televizion)