VIDEO| Stuhia e “Satanit” godet Spanjën, viktima dhe dëme të mëdha

Nga A2 CNN
18 Gusht 2025, 13:31 | Bota

VIDEO

Europa po përjeton ditë dramatike me fenomene të jashtëzakonshme natyrore që kanë goditur njëkohësisht disa vende. Në jug të Spanjës, një fenomen i rrallë meteorologjik, i quajtur “Stuhia e Satanit”, ka tronditur pushuesit në Costa Granadina.

Turistët u panë duke vrapuar të tmerruar, ndërsa rëra e fortë, shezlongët dhe çadrat fluturonin nga erërat afër forcës së uraganit. Temperaturat u rritën papritur në 40°C, ndërsa era arriti deri në 85 km/h, duke shkaktuar panik dhe dëme të mëdha. Të paktën pesë persona u shpëtuan nga deti pasi valët dhe erërat i tërhoqën me mjetet e tyre lundruese.

Ndërkohë, Spanja po përballet edhe me zjarret më të mëdha në historinë e saj. Deri tani janë djegur rreth 300,000 hektarë pyje, katër persona kanë humbur jetën, mes tyre një zjarrfikës, dhe dhjetëra zona janë evakuuar. Kryeministri Pedro Sánchez ka dërguar gjithsej 1,900 ushtarë për të ndihmuar në përballimin e mbi 20 vatrave të mëdha, duke e quajtur këtë mobilizim si “ndoshta më të madhin në historinë e mbrojtjes civile evropiane”, shkruan A2 CNN.

Në Portugali, situata është po aq dramatike. Një tornado zjarri është formuar në Aguiar da Beira, duke krijuar pamje apokaliptike me kolona zjarri dhe tymi që ngjiteshin në qiell. Dy zjarrfikës humbën jetën, ndërsa tre të tjerë janë në gjendje kritike pas një aksidenti gjatë shërbimit. Qeveria ka mobilizuar rreth 4,000 zjarrfikës, duke shpallur alarm të lartë deri të dielën.

(A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos