Vizita e kryeministrit hungarez, Viktor Orban në Moskë zhvillohet ekskluzivisht në kuadrin e marrëdhënieve dypalëshe midis Hungarisë dhe Rusisë.
Kështu thuhet në një deklaratë të Përfaqësuesit të Lartë të BE-së, Josep Borrell. Në presidencën e radhës të BE-së, Hungaria nuk ka përfaqësim të jashtëm të Bashkimit.
“Orban nuk ka marrë asnjë mandat nga Këshilli i BE-së për të vizituar Moskën dhe nuk përfaqëson BE-në në asnjë formë. Pozicioni i BE-së për luftën e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës është pasqyruar në shumë përfundime të Këshillit Evropian. Ky qëndrim përjashton kontaktet zyrtare midis BE-së dhe Presidentit Putin", thuhet në deklaratën e përfaqësuesit të lartë të BE-së.
Vizita e kryeministrit hungarez në Rusi është dënuar nga udhëheqësit e bllokut evropian.
Charles Michel, president i Këshillit Evropian, shkroi në X, që më herët njihej si Tëitter, se "udhëheqja me rotacion e presidencës së BE-së nuk ka mandat që të angazhohet me Rusinë në emër të BE-së".
"Këshilli Evropian është i qartë: Rusia është agresorja, Ukraina është viktima. Nuk ka diskutime për Ukrainën, pa Ukrainën", tha Michel.
Vizita e Orban në Rusi vjen disa ditë pasi ai u takua me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Kiev.
(A2 Televizion)