Ursula Von Der Leyen siguroi një mandat të ri 5-vjecar, si president e Komisionit Europian, pas një votimi të fshehtë të eurodeputetëve. 65-vjeçarja siguroi mbështetjen e 401 pjesëtarë të parlamentit, gjatë votimit në Strasburg, 41 më shumë nga sa i nevojiteshin.
Në një fjalim para eurodeputetëve në prag të votimit, Von Der leyen shpalosi prioritetet për mandatin e ardhshëm, mes tyre edhe zgjerimin e bllokut. Ajo tha një BE më e fortë dhe më e zgjeruar, i jep Evropës peshë më të madhe në skenën globale. Von Der Leyen përsëriti se procesi i zgjerimit do të mbetet i bazuar në meritat individuale të atyre që duan të bëhen pjesë e BE-së. Von der Leyen ka premtuar se pas rizgjedhjes do ta emërojë një komisioner të përkushtuar për të çuar përpara procesin e zgjerimit.
“Unë besoj se është një detyrë morale, politike dhe gjeo-strategjike që ta kompletojmë bllokun tonë, në përputhje me premtimet që kemi dhënë. Ky nuk do të jetë një rrugëtim i lehtë. Anëtarësimi në BE do të jetë gjithmonë i bazuar në merita dhe secili kandidatdo të vlerësohet në bazë të progresit në përmbushjen e kritereve. Do t’i rrisim përpjekjet për t’i përgatitur vendet kandidate, në veçanti përmes investimeve dhe reformave me planin e rritjes për Ballkanin Perëndimor, dhe mjetet për Ukrainën”.
Pasi u zotua për të mbështetur Ukrainën për sa kohë që të nevojitet në luftën kundër pushtuesit rus, Von Der Leyen tha se do të punonte për fuqizimin e mbrojtjes europiane dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake. Ajo theksoi gjithashtu synimin për të përmbur objektivët klimatik, dhe për të luftuar demagogët dhe ekstremistët që duan të shkatërrojnë “mënyrën europiane të jetesës”. (A2 Televizion)