
Tajfuni Kalmaegi ka goditur pjesën qendrore të Vietnamit të enjten, duke detyruar mijëra banorë që të evakuohen nga zona nëpër të cilën do të kalojë një nga ciklonet më vdekjeprurëse në botë këtë vit.
Gjatë kësaj jave, Kalmaegi shkaktoi dëme të mëdha në Filipine, duke lënë të vdekur të paktën 140 persona, teksa 127 të tjerë konsiderohen të zhdukur pas përmbytjeve që u shkaktuan nga stuhia.
Tajfuni goditi Vietnamin me erëra që arritën deri në 149 kilometra në orë, tha Ministria e Mjedisit.
“Era është aq e fortë sa asgjë nuk i bën ballë”, tha për AFP-në banori i Vietnamit Vu Van Hao, 48 vjeç.
Pjesa qendrore e Vietnamit, që u godit nga tajfuni, veçse ishte përballur me vërshime një javë më herët që vranë të paktën 47 persona.
“Ky është një tajfun i madh me kapacitet të tmerrshëm shkatërrues”, tha zyrtari kryesor i provincës Gia Lai, Pham Anh Tuan. Mediat shtetërore thanë se në këtë provincë një natë më parë u evakuuan mbi 7.000 persona.
Vietnami ndodhet në një nga rajonet më aktive në botë sa i përket cikloneve tropikale dhe zakonisht preket nga rreth dhjetë tajfune ose stuhi në vit, por Kalmaegi është stuhia e trembëdhjetë që godet këtë shtet gjatë vitit 2025.
Sipas të dhënave shkencore, ndryshimet klimatike të shkaktuara nga njeriu po bëjnë që ngjarje të motit ekstrem të jenë më të shpeshta dhe më shkatërruese.
Kalmaegi goditi fuqishëm Filipinet të hënën, duke shkaktuar dëme në ishujt Cebu dhe Negros, përpara se të rikthej në det.
Stuhia shkaktoi vërshime të mëdha në Filipine, shtet që shpalli gjendje të fatkeqësisë kombëtare.
Më shumë se 500.000 banorë në Filipine janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre për shkak të stuhisë.
Vietnami, që ka një bregdet prej 3.200 kilometrash dhe një rrjet prej 2.300 lumenjsh, përballet me rrezik të madh të përmbytjeve.
Fatkeqësitë natyrore veçse kanë shkaktuar vdekjen ose zhdukjen e 279 personave gjatë këtij viti dhe kanë shkaktuar dëme në vlerë prej më shumë se 2 miliardë dollarësh, sipas Zyrës Kombëtare të Statistikave të Vietnamit./ REL (A2 Televizion)
