Mediat izraelite raportuan të premten se pesë ushtarë izraelitë janë vrarë dhe dy të tjerë janë plagosur në një pritë që shkaktoi shembjen e një ndërtese mbi ta në Khan Younis, në jug të Rripit të Gazës. Ndërkohë, ushtria konfirmoi vdekjen e katër ushtarëve.
Sipas raportimeve, në incident thuhet se ishin të përfshirë 12 pjesëtarë të një njësie elitare izraelite që ishte shënjestruar me mina. Sipas të njëjtave burime të cituara nga Al-Jazeera, disa ushtarë izraelitë mbeten të bllokuar nën rrënoja.
Ndërkohë, të paktën 52 palestinezë janë vrarë që nga agimi i së enjtes si pasojë e bombardimeve të vazhdueshme izraelite në disa zona të Rripit të Gazës.
Brigadat Al-Qassam, krahu i armatosur i lëvizjes së rezistencës palestineze Hamas, morën përgjegjësinë për dy operacione në Khan Younis dhe për një pritë të ndërlikuar në lindje të kampit të refugjatëve Jabaliya, në veri të Gazës.
Sipas deklaratës së tyre, prita në Jabaliya ndodhi të dielën e kaluar përgjatë vijës lindore pranë vendndodhjes Mabhouh dhe përfshinte pajisje shpërthyese, granata dhe përleshje nga afër me mitralozë.
Në një incident të veçantë, ushtria izraelite pranoi se tre ushtarë, të gjithë me gradën e rreshterit të parë, u vranë të hënën në veri të Gazës, kur automjeti i tyre ushtarak Hummer u shënjestrua në Jabaliya. Gjithashtu, dy zjarrfikës u plagosën.
Brigadat Al-Quds, krahu ushtarak i lëvizjes Xhihadi Islamik, njoftuan se një automjet ushtarak izraelit është shënjestruar në jug të Khan Younisit. Telegrafi (A2 Televizion)