Snajperisti që vrau aktivistin konservator Charlie Kirk vijon të jetë në arrati, edhe pasi hetuesit e mbushën internetin me foto dhe video të njeriut që besohet se ndërmori krimin e motivuar politikisht në universitetin e Utah të mërkurën.
Presidenti Donald Trump tha se hetuesit kishin shënuar progres në gjurmimin e agresorit që qëlloi me një plumb të vetëm në qafë 31-vjeçarin që ndihmoi në galvanizimin e votës së rinisë konservatore dhe rikthimin e Trump në Shtëpinë e Bardhë.
“Mendoj se është shënuar progres. Ai është një kafshë dhe me shpresë do të kapet shpejt. Ajo që bëri është e neveritshme. Charlie Kirk ishte një person i mrekullueshëm në të gjitha aspektet”, tha Trump, shkruan A2.
FBI shfaqi imazhet e një burri me kapele e syze që ecte mbi çatinë e godinës nga ku edhe erdhi e shtëna, para se të zbriste dhe të largohej nga kampusi. Ai kaloi rrugën drejt një zone pyjore ku policia gjeti një pushkë të fuqishme që besohet të jetë përdorur për vrasjen. Autoritetet vazhdojnë ta quajnë burrin e shfaqur në video si “person interesi” e jo të dyshuar, por e kanë vendosur imazhin e tij në skenën e krimit të Universitetit të Utah.
Guvernatori i Utah kërkoi ndihmën e publikut në identifikimin e të riut. Një shpërblim prej 100 mijë dollarësh është ofruar nga FBI për informacione që do të ndihmojnë në arrestimin e vrasësit.
Rrjeti është mbushur me spekulime lidhur me identitetin dhe motivet e agresorit. Siç raportohet, hetuesit kanë gjetur municione me mbishkrime të ideologjisë transgjinore dhe antifashiste. Disa po komentojnë se ai mund të jetë një i ri i moshës universitare, i cili është përzier me turmën në kampus.
Kirk po merrte pjesë në një debat me studentët lidhur me çështjet më polarizuese të ditës, përfshirë dhunën me armë zjarri, para se të qëllohej për vdekje. 3 mijë persona po merrnin pjesë në aktivitet.
(A2 Televizion)