Tusk i thotë Trumpit se Putin sulmoi me dashje, Polonia dërgon mijëra ushtarë në kufi para “luftës” ruse

Nga Xhevahir Qardaku
12 Shtator 2025, 11:59 | Bota

Rusia bën prova lufte në portat e NATO-s, pasi dronët e saj u rrëzuan mbi Poloni. Moska dhe aleati i saj kyç, Bjellorusia, nisën stërvitjet ushtarake të përbashkëta “Zapad 2025”, që përkthehet në shqip: Perëndimi 2025, në një kohë kur frika për një përplasje të mundshme mes superfuqive është më e madhe se kurrë më parë.

“Përmes manovrave strategjike, është planifikuar stërvitja dhe kontrolli i përbashkët, rajonal dhe i trupave në luftimin e agresionit kundër Shtetit të Përbashkët, opsione të ndryshme për veprime të përbashkëta në neutralizimin e kërcënimeve dhe stabilizimin e situatës në kufij”, shkruhet në njoftimin e Ministrisë ruse të Mbrojtjes, përcjell A2.

Në kundërpërgjigje, Polonia ka dërguar rreth 40 mijë ushtarë në kufirin me Bjellorusinë dhe Rusinë. “Po përgatitemi prej kohësh për manovrat Zapad 2025”, konfirmoi zëvendësministri i Mbrojtjes i Polonisë.

Ai shton se ushtria e tij dhe disa forca të vendeve të NATO-s, kanë kryer stërvitje për t’iu kundërpërgjigjur ndonjë agresioni të mundshëm. Një masë tjetër e marrë është dhe mbyllja e kufirit me Bjellorusinë. Por, Rusia ka kërkuar që Polonia ta rihapë atë, ndërsa paralajmëron pasoja për këtë veprim.

Mbyllja e kufirit erdhi dhe pas dhjetra dronëve që u rrëzuan nga ushtria e Varshavës bashkë me forcat aleate të NATO-s. Polonia beson se ishte një sulm i qëllimshëm për të testuar reagimin e aleancës së fuqishme, por Presidenti amerikan nuk mendon kështu: “Mund të ketë qenë një gabim. Por, pavarësisht kësaj, nuk jam i kënaqur me asgjë që ka të bëjë me gjithë këtë situatë. Shpresoj që do të përfundojë”.

Kryeministri polak, Donald Tusk, thotë se gjithçka ka qenë e qëllimshme.

“Edhe ne do të dëshironin që sulmi me dronë ndaj Polonisë të kishte qenë një gabim. Por nuk është kështu dhe këtë e dimë mirë”, shkruan ai në një postim më rrjetin social X, në kundërpërgjigje të deklaratës së Trump.

Lidhur me sulmin, Franca dërgoi një notë proteste, ndërsa zhvendosi 3 avionë lufte në Poloni. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos