
Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, ka folur mbi njoftimin e bërë dje nga Presidenti Donald Trump për naftën venezueliane.
Sipas mediave të huaja, Leavitt ka thënë se nafta venezueliane do të mbërrijë në SHBA "shumë shpejt".
"Qeveria e Shteteve të Bashkuara ka filluar tashmë të tregtojë naftën bruto venezueliane në tregun global për të mirën e Shteteve të Bashkuara", tha Leavitt, shkruan A2 CNN.
Të gjitha të ardhurat nga shitja e naftës dhe produkteve do të vendosen së pari në llogari të kontrolluara nga SHBA-të në banka të njohura globalisht, përpara se fondet të shpërndahen "për të mirën e popullit amerikan dhe popullit venezuelian, sipas gjykimit të qeverisë së Shteteve të Bashkuara", shtoi ajo.
Kujtojmë se pak ditë më pare, ushtria amerikane ndërmori një aksion në Venezuelë, i cili u finalizua me arrestimin e Presidentit në detyrë të vendit, Nicolas Maduro. (A2 Televizion)