Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka bërë sërish thirrje për një armëpushim në ajër dhe në det, ndërsa thotë se Rusia është “burimi i vetëm” i luftës në vendin e tij.
Sipas mediave të huaja, Presidenti ukrainas ka apeluar tani për një pauzë në luftime tre herë në ditët e fundit.
Sot, ai tha se duhet të ketë "heshtje në qiell", e cila do të përfshijë "ndalimin e përdorimit të raketave, dronëve me rreze të gjatë dhe bombave ajrore".
"Dhe heshtja në det - një garanci e vërtetë e lundrimit normal”, shroi ai në rrjetin social ‘X’, raporton A2 CNN.
“Ukraina është e gatshme të ndjekë rrugën drejt paqes dhe është Ukraina ajo që përpiqet për paqen që në sekondën e parë të kësaj lufte”, tha Zelensky më tej.
"Detyra është të detyrojmë Rusinë të ndalojë luftën", vijoi ai më tej, shkruan A2 CNN.
"Hapat e parë" drejt një "paqeje të vërtetë" duhet të përfshijnë "detyrimin e burimit të vetëm të kësaj lufte, Rusisë, të ndalojë sulmet kundër jetës", shtoi ai.
Ai gjithashtu iu referua "sulmit masiv" në infrastrukturën e gazit ukrainas gjatë natës që është raportuar.
“Në total, rusët përdorën afro 70 raketa, si lundruese ashtu edhe balistike, si dhe pothuajse 200 dronë sulmues”, tha ai.
E gjithë kjo ishte e drejtuar kundër infrastrukturës që siguron jetë normale. (A2 Televizion)