Zelensky “bezdiset” nga lufta në Gaza: Ka marrë gjithë vëmendjen. Rusia tregon forcën bërthamore

Nga Xhevahir Qardaku
5 Nëntor 2023, 13:32 | Bota

Nëndetësja e re ruse me energji bërthamore kreu një testim të suksesshëm të raketës balistike “Bulava” nga Deti i Bardhë. Këtë e njoftuan agjencitë shtetërore të lajmeve ruse, duke cituar Ministrinë e Mbrojtjes.

Raketa e testuar ka aftësi që të mbajë koka bërthamore.

“Si pjesë e fazës përfundimtare të programit të testimit shtetëror, nëndetësja e re e raketave strategjike me fuqi bërthamore “Perandori Aleksandri i Tretë” lëshoi me sukses një raketë balistike ndërkontinentale “Bulava” nga Deti i Bardhë”, citojnë agjencitë një deklaratë nga ministria.

Presidenti rus Vladimir Putin nënshkroi të enjten një ligj që tërheq ratifikimin nga Rusia të traktatit global që ndalon testet e armëve bërthamore, një hap i dënuar nga organizata që promovon aderimin ndaj paktit historik të kontrollit të armëve.

Raketa “Bulava”, që ka një gjatësi prej 12 metrash, është krijuar për të përforcuar kapacitetet bërthamore të Rusisë dhe besohet se ka rreze veprimi prej 8 mijë kilometrash. Perëndimi e ka akuzuar Moskën për retorikë të pamatur bërthamore, prej nisjes së luftës në Ukrainë, në shkurt të vitit të kaluar.

Teksa luftime në terren vazhdojnë, Kievin e shqetëson mungesa e vëmendjes. Lufta Izrael-Gaza po “ia heq fokusin” konfliktit në Ukrainë, ka pranuar presidenti i vendit Volodymyr Zelensky. Ai tha se ky ishte “një nga qëllimet” e Rusisë, e cila nisi një pushtim të plotë të Ukrainës në shkurt 2022.

Por Zelensky mohoi se luftimet për çlirimin e territorit kishin arritur në një ngërç, pavarësisht një vlerësimi të fundit për këtë nga gjenerali më i lartë ushtarak i vendit. Kundërofensiva e Kievit në jug deri më tani ka bërë pak përparim.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos