
Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka propozuar një “armëpushim energjetik” me Rusinë, duke kërkuar ndalimin e të gjitha sulmeve ndaj infrastrukturës kritike.
Në një deklaratë për mediat ukrainase, Zelensky tha se Kievi është i gatshëm për një armëpushim të plotë, përfshirë edhe periudhën e festave të Pashkëve, duke përfshirë ndalimin e sulmeve në tokë, ajër dhe det.
Ai theksoi se Ukraina ka paraqitur disa propozime konkrete dhe mbetet e hapur për negociata, nëse pala ruse tregon gatishmëri për të ndalur përshkallëzimin e konfliktit.
Ndërkohë, luftimet vijojnë në terren. Autoritetet ruse raportuan për një sulm me dron ndaj një uzine industriale në rajonin e Samarës, ndërsa sulmet mes dy vendeve kanë vazhduar gjatë natës.
Në të njëjtën kohë, zhvillimet në Lindjen e Mesme po ndikojnë në tregjet globale. Përshkallëzimi i tensioneve mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Iranit ka sjellë rritje të çmimeve të naftës, duke shtuar pasiguritë ekonomike në nivel global.
Përpjekjet për paqe në Ukrainë mbeten të bllokuara, ndërsa dinamika e re gjeopolitike po ndërlikon më tej situatën ndërkombëtare. (A2 Televizion)