Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, u bëri thirrje aleatëve perëndimorë që të marrin një qëndrim të qartë mbi garancitë e sigurisë, përfshirë mundësinë e një pranie të trupave të huaja në territorin ukrainas me mbështetje nga SHBA.
Deklarata e tij erdhi gjatë një takimi virtual të organizuar nga kryeministri britanik Keir Starmer me liderë evropianë, ku u diskutua mbi sigurinë e Ukrainës në rast të një marrëveshjeje paqeje me Rusinë: “Evropa ka nevojë për arsenalet e saj dhe aftësinë për të prodhuar armët më të avancuara. Nuk duhet të duhen tre deri në pesë vjet për të prodhuar municione kur bëhet fjalë për mbrojtjen dhe sigurinë tuaj. Ju lutem, bëjeni sa më shpejt të jetë e mundur. Gjithashtu, ju kërkoj të mos harroni forcimin e mbrojtjes ajrore, si në Ukrainë, ashtu edhe në vendet tuaja në të ardhmen”.
Zelensky mohoi pretendimet e Moskës se Rusia kishte rimarrë rajonin e Kurskut, duke theksuar se situata në Pokrovsk të Donjetsk është stabilizuar nga forcat ukrainase: “Putin po gënjen të gjithë për situatën në terren, veçanërisht për atë që po ndodh në rajonin e Kurskut, ku forcat tona ukrainase vazhdojnë operacionet e tyre. Trupat tona gjithashtu kanë stabilizuar situatën në frontin në rajonin e Donetskut, pra në Pokrovsk. Është një punë e madhe e heronjve tanë dhe një sukses i madh, mendoj unë”.
Ndërkohë, Zelenski nënshkroi një urdhër për përbërjen e një delegacioni të ngarkuar per bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për përpjekjet e paqes shkruan A2. Andriy Yermak, shefi i kabinetit të Presidentit, është emëruar për të drejtuar delegacionin. (A2 Televizion)