
Bashkimi Evropian dhe NATO kanë rënë dakord për një projekt infrastrukture prej 100 miliardë eurosh, që do të vendosë themelet për një zonë ushtarake “Schengen”, me qëllim përshpejtimin e lëvizjes së trupave dhe pajisjeve ushtarake në të gjithë Evropën.
Kështu deklaroi Komisioneri për Transportin dhe Turizmin, Apostolos Tzitzikostas, gjatë një konference të mbajtur të enjten në Athinë, shkruan A2CNN.
Projekti, tha ai përfshin zhvillimin e 500 “pikave kyçe”, ku infrastruktura për të lehtësuar mobilitetin ushtarak do të krijohet ose forcohet gjatë tre deri në katër viteve të ardhshme.
Sipas tij, kjo do të përshpejtojë ndjeshëm kohën e nevojshme për transferimin e trupave dhe materialeve nga një pjesë e bllokut në tjetrën, si për stërvitje ushtarake ashtu edhe në raste emergjencash.
Tzitzikostas tha gjithashtu se do të krijohet një rezervë e përbashkët, ose një “pool”, pajisjesh ushtarake, e modeluar sipas mekanizmit të mbrojtjes civile të BE-së.
“Rregullorja do të jetë gati deri në vitin 2027 dhe infrastruktura në fillim të vitit 2030,” shtoi ai.
Komisioneri evropian u shpreh optimist edhe për sezonin turistik të këtij viti, pavarësisht tensioneve në Lindjen e Mesme, të cilat kanë shkaktuar ndërprerje të fluturimeve dhe rritje të çmimeve të karburantit.
Ai tha se turistët duhet të ndihen të sigurt për të rezervuar pushimet e tyre verore në Evropë, pasi furnizimet me karburant për avionët mbeten të garantuara.
“Nuk kemi asnjë shenjë se po na mbaron karburanti për avionët,” tha Tzitzikostas, duke shtuar se 70% e karburantit prodhohet brenda BE-së dhe se blloku ka rezerva të konsiderueshme, të cilat Komisioni Evropian po i hartëzon aktualisht. (A2 Televizion)