“Rritja e çmimeve të biletave të avionëve në Europë, e pashmangshme”

Nga A2 CNN
14 Maj 2026, 08:22 | Bota

“Rritja e çmimeve të biletave të avionëve në

Rritja e çmimeve të biletave të avionëve për udhëtarët në Europë është “e pashmangshme” për shkak të kostos së lartë të karburantit të avionëve, sipas kreut të Shoqatës Ndërkombëtare të Transportit Ajror (IATA), shkruan A2CNN.

Megjithëse disa linja ajrore kanë ulur së fundmi tarifat e fluturimeve në Europë për shkak të mungesës së kërkesës, Willie Walsh tha se nuk kishte asnjë mënyrë që kompanitë ajrore t’i përballonin këto kosto shtesë në afatgjatë.

Megjithatë, ai vuri në dukje se edhe nëse Ngushtica e Hormuzit do të rihapej nesër, ndikimi i ndërprerjeve të shkaktuara nga konflikti në Lindjen e Mesme mund të ndihej edhe vitin e ardhshëm.

Një zëdhënës i qeverisë tha se linjat ajrore britanike “janë të qarta se aktualisht nuk po përballen me mungesë karburanti për avionët”.

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit si pasojë e konfliktit në Iran ka pasur një ndikim dramatik në çmimet e karburantit për avionët dhe ka ngritur shqetësime për mungesa të mundshme në muajt e ardhshëm.

Javën e kaluar, për shembull, Bashkimi Europian tha se nuk kishte asnjë arsye rregullatore pse karburanti amerikan për avionë të mos përdorej nga linjat ajrore europiane, për sa kohë që përdorimi i tij menaxhohej me kujdes.

Të mërkurën, komisioneri europian për Energjinë, Dan Jorgensen, tha se nuk priste mungesa serioze në afat të shkurtër, por nuk përjashtoi probleme furnizimi në afat më të gjatë. Edhe drejtori ekzekutiv i operatorit turistik Tui, Sebastien Ebel, tha se nuk priste mungesa gjatë muajve në vijim.

Europa, dhe veçanërisht Mbretëria e Bashkuar, zakonisht varen shumë nga importet nga rajoni dhe po përpiqen të gjejnë furnizime alternative.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos