18-vjetori i Pavarësisë. Prishtina në festë, Veriu pa aktivitete zyrtare

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2026, 23:46 | Aktualitet

Moti i ftohtë dhe reshjet e borës nuk i penguan qytetarët në Prishtinë që të festojnë 18-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës.

Ashtu si çdo vit tjetër, edhe këtë 17 Shkurt monumenti “Newborn” ndryshoi pamje. Për shkak të zhvillimeve që lidhen me Gjykatën Speciale, rreth 5000 emblema të UÇK-së u vendosën mbi monument, i cili u rrethua me hekura për të simbolizuar idenë e burgut, shkruan A2.

Koncepti artistik i monumentit simbol të pavarësisë së Kosovës, “Newborn”, këtë vit është bazuar në artin tradicional japonez “Kintsugi”, një teknikë që simbolizon shërimin, forcimin dhe rritjen e vlerës pas thyerjes apo sfidave. Ky mesazh refelkton rrugëtimin e Kosovës që ka përballuar sfidat me qëndrueshmëri.

Qytetarët në sheshet kryesore të Prishtinës shprehën urimet për shtetin e Kosovës, ndërsa atmosfera festive u shoqërua me aktivitete simbolike.

Zhvillimet në Hagë dhe marshimi protestues ishin pjesë e këtij 17 Shkurti. Shumë qytetarë shprehën shpresën që në përvjetorët e ardhshëm, ish-pjesëtarët e UÇK-së që po përballen me proceset gjyqësore të jenë pranë familjeve të tyre në Kosovë.

Festime pati edhe në komunat e tjera të vendit. Vizitorë të shumtë qëndruan gjatë ditës në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz.

Ndërkohë, përvjetori i pavarësisë nuk u shënua në veri të Kosovës. Atje ishte një ditë e zakonshme. Në katër komunat me shumicë serbe, të udhëhequra nga Lista Serbe, nuk u vendosën simbole shtetërore në hapësirat publike dhe nuk u organizuan aktivitete zyrtare. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos