
Gjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është drejt fundit. Vetëm pak procedura kanë mbetur deri te vendimi i trupit gjykues të Dhomave të Specializuara të Kosovës, në Hagë, për akuzat ndaj tyre për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, dhe ish-deputeti Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat.
Ata akuzohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.
Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.
Në fillim të javës së ardhshme pritet të jepen deklaratat përmbyllëse të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, Avokatët Mbrojtës të Viktimave dhe të ekipeve mbrojtëse të ish-liderëve të UÇK-së. (A2 Televizion)