Kamberi: Kongresi amerikan fut në agjendë diskriminimin ndaj shqiptarëve në Serbi

Nga A2 CNN
5 Shkurt 2026, 13:20 | Aktualitet

Kamberi: Kongresi amerikan fut në agjendë diskriminimin ndaj

Deputeti i vetëm shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka reaguar pasi në Uashington i është dorëzuar zyrtarisht projektligji amerikan H.R. 6411 – Presheva Valley Discrimination Assessment Act (Akti i Vlerësimit të Diskriminimit në Luginën e Preshevës), i cili synon vlerësimin e diskriminimit sistematik ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës, transmeton KosovaPress.

Kamberi njoftoi se ligji iu dorëzua personalisht nga kongresisti amerikan Keith Self, duke theksuar se për herë të parë diskriminimi ndaj shqiptarëve në Serbi po vendoset zyrtarisht në agjendën e Kongresit të Shteteve të Bashkuara.

Sipas tij, ky akt nuk është simbolik, por një instrument shtetëror amerikan për të vlerësuar, dokumentuar dhe ekspozuar praktika si pasivizimi administrativ, përjashtimi nga institucionet publike, shtypja e gjuhës shqipe, diskriminimi në arsim dhe margjinalizimi ekonomik i shqiptarëve të Luginës së Preshevës.

“Për herë të parë, kjo padrejtësi nuk mbetet më në periferi të diplomacisë, por futet në zemrën e politikës amerikane, jo si protokoll, por si detyrim moral”, ka deklaruar Kamberi.

Ai ka falënderuar kongresistin Keith Self në emër të shqiptarëve të Luginës së Preshevës, duke vlerësuar angazhimin e tij parimor për këtë çështje.

“Në një botë ku shumë heshtin nga interesi, kongresisti Keith zgjodhi të flasë nga parimi”, ka theksuar Kamberi.

 

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos