Me pankarta në duar dhe thirrje kundër rritjes së çmimit të energjisë elektrike, qytetarë në Prishtinë protestuan të premten kundër kërkesës për shtrenjtim të energjisë.
Protesta nisi pranë objekteve të Kompanisë Kosovare për Furnizim me Energji Elektrike, KESCO, si dhe asaj për Distribuim me Energji Elektrike, KEDS.
KESCO i ka kërkuar Zyrës së Rregullatorit për Energji rritje të çmimit të energjisë elektrike për mbi 21 për qind për vitin 2026, ndërsa vendimi për këtë kërkesë pritet të merret gjatë muajit prill.
“Na thonë se problemi është te konsumi ynë i tepërt dhe jo te apetiti i KEDS-it. Vjet u vodhën prej 16.1 për qind, që na bënë trekëndëshi KEDS–ZRRE–Qeveri. Edhe sivjet po duan me na e trashë edhe më shumë e me na thënë se ka rritje tjetër prej 20 për qind, është përnjëmend hile e zanatit të KEDS-it”, shprehet protestuesi Erbilin Ajdini.
Gjatë protestës pranë objektit të KEDS, për shkak të hedhjes së flakadanëve, një protestues u arrestua nga Policia e Kosovës.
Pas kësaj, protestuesit marshuan drejt zyrave të Zyrës së Rregullatorit për Energji, ku kërkuan që kompanitë e distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike t’i kthehen pronësisë shtetërore.
“Ne konsiderojmë që distribucioni ti kthehet KEK-ut dhe qytetari të ketë çmim simbolik, punëtori të ketë dinjitet, kompania të ketë fuqi dhe shteti të jetë energjik”, thotë protestuesi Nexhat Llumnica.
Në përfundim, protestuesit qëndruan edhe pranë objektit të Qeverisë së Kosovës, ku kërkuan që të parandalohet çdo përpjekje për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Pranë hyrjes së Qeverisë, protestuesit vendosën pankartat: “Nuk e durojmë ma hajninë”, “Nji popull nuk i nënshtrohet KEDS-it”, “Stop hajnisë me fatura t’rrymës” dhe të tjera. (A2 Televizion)