A ka vërtetë kërcënim? Loja psikologjike me ushtrinë serbe në kufi

Nga Ideal Gola
30 Maj 2025, 20:10 | Aktualitet

Serbia gjatë viteve të fundit shpesh ka rritur numrin e forcave ushtarake pranë kufirit me Kosovën. Një paralajmërim i tillë u bë edhe gjatë kësaj kohe. Ekspertët thonë se lëvizjet e tilla janë një lojë psikologjike për të mbajtur Kosovën nën tension.

Dislokimi i forcave të shtuara serbe pranë kufirit me Kosovën që ndodh vazhdimisht viteve të fundit shihet nga ekspertët e sigurisë si lojë psikologjike për të mbajtur vendin në tension.

Gjithashtu, lëvizje të tilla bëhen edhe për konsum të brendshëm politik në Beograd, në një kohë kur po ndodhin shumë zhvillime. Situata konsiderohet e qetë, pavarësisht se tentimet për tensione mund të vijojnë, pasi një sjellje e tillë është e pritshme nga Serbia.

Nënkoloneli Refki Morina shprehet për A2 CNN: “Në një mënyrë ose tjetër, mundohet të bëjë një lojë psikologjike, ose speciale, ndaj Kosovës, ndaj shtetësisë dhe sovranitetit, por e dimë se Serbia nuk ka shanse të ketë një luftë frontale për shkak se kemi trupat e KFOR, EULEX, Policinë e Kosovës... janë të ndërlidhura mes vete e gjithashtu e kemi ushtrinë tonë”.

Eksperti i sigurisë Arben Dashevci tha: “Kanë qenë të vazhdueshme dhe janë të njëjta, nuk ka ndryshuar asgjë. Po vazhdojnë sepse i shoh sikur zhvendosje e vëmendjes së tyre kundrejt problemeve të brendshme që i kanë në Republikën e Serbisë”.

Në një situatë të tillë, pavarësisht se lëvizjet aktuale të ushtrisë serbe pretendohet se nuk mund të rrezikojnë sigurinë e Kosovës, forcave që kujdesen për kufirin në pjesën veriore iu kërkohet vëmendje e kujdes.

“Ne duhet të jemi vigjilentë edhe përkundër asaj se Serbia bën manovra të tilla të ushtrisë dhe xhandamarisë përgjatë kufirit me Kosovën, por duhet të jenë vigjilentë edhe KFOR, edhe EULEX, edhe Policia e Kosovës, pavarësisht asaj se mund të ndërmerr veprime të ndryshme hibride që në një mënyrë ose tjetër mund të destabilizojë pjesën veriore, por edhe të tentojë të destibalizojë Kosovën në tërësi dhe Ballkanin”, deklaroi Morina.

Ndërsa për politikën kërkohet që të jetë e qartë në ngritjen e shqetësimeve të tilla pranë kancelarive ndërkombëtare. Dashevci shprehet: “Ne duhet të jemi në hap, duhet të lajmërojmë të gjithë në bazë të diplomacisë dhe politikës: ja retorika e Serbisë dhe t’ua tregojmë fytyrën e vërtetë se me çka merren ata”.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, deklaroi se rritja e pranisë së ushtrisë serbe në kufi është si reagim ndaj stërvitjes “Defender Europe”, megjithëse shtoi se nuk e kanë të qartë nëse ky është veprim i vetë Serbisë apo një gjë të tillë ia ka kërkuar Rusia.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos