Adresohen sfidat në mbrojtje, Kosova thellon bashkëpunimin me Çekinë në fushën e sigurisë

Nga Xhevahir Qardaku
23 Prill 2024, 20:10 | Aktualitet

Kosova dhe Çekia kanë thelluar bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe të mbrojtjes. Kjo u vulos në Prishtinë ku anëtarët e Komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes pritën në një takim një delegacion homolog nga Praga. Kryetari i komisionit, Bekë Berisha, në një konferencë për shtyp tregoi fokusin e bisedës mes palëve.

“Faleminderit për ndihmën që na bëhet nga Republika Çeke e cila është shumë dimensionale, në aspektin diplomatik në përkrahje të Republikës së Kosovës. Kemi biseduar edhe për zhvillimin e mëtutjeshëm për të dy shtetet në aspektin e sigurisë”, tha Bekë Berisha, kryetari i komisionit për çështje të sigurisë dhe mbrojtjes.

Nga ana tjetër, kryetari i komisionit të senatit për punë të jashtme dhe mbrojtje të Çekisë, Pavel Fischer, tregoi se si do ta ndihmojë Kosova vendin e tij.

“Kolegët tonë na kanë lajmëruar që kanë dëshirë të vazhdojnë bashkëpunimin në fushën e kriminalitetit të kibernetikës ose në fushën e luftës kundër krimit të organizuar. Por edhe në bashkëpunim e mëtejshëm në mes dy ushtrive tona, sepse kryetari i ushtrisë tuaj Jashari do të vijë në Pragë për një vizitë të shkurtër. Ne jemi të mendimit që stabiliteti në Kosovë është shumë i rëndësishëm për stabilitetin në Europë”, tha Pavel Fischer, kryetari i komisionit të senatit për punë të jashtme dhe mbrojtje të Çekisë.

Takimi është zhvilluar me dyer të mbyllura. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos