Policia e Kosovës, në bashkëpunim me inteligjencën kosovare, brenda 24 orëve ka arrestuar serbin Aleksandar Vlajiç, i dyshuar për spiunazh, si dhe ka identifikuar dy lokacione në veri në të cilat kanë qenë të vendosura kamera. Të njëjtat vëzhgonin lëvizjet e qytetarëve si dhe të efektivëve policorë dhe të prezencës ndërkombëtare në veri të vendit.
“Kamerat e kamufluara dyshohet se janë përdorur në vazhdimësi nga institucionet e sigurisë së Serbisë”, tha Veton Elshani.
Arrestimi i serbit të dyshuar për spiunazh dhe sekuestrimi i kamerave mirëpritet nga njohësit e sigurisë të cilët thonë se vetëm në këtë mënyrë eliminohen elementet e pushtetit serb që ka kontrolluar veriun përmes bandave kriminale.
“Jo vetëm arrestimi i spiunit por edhe gjetja e instalimeve të tilla teknike e teknologjike tregon se bandat kriminale kanë komunikuar drejtpërdrejt me Beogradin, kanë marr urdhrat e Beogradit dhe çdo veprim i tyre, protesta, ka qenë nën dirigjimin e Vuçiçit dhe qeverisë së tij”, u shpreh nënkoloneli në pension Refki Morina.
Autoritetet këshillohen që të mos mjaftohen me kaq pasi Serbia ka investuar me vite në atë territor dhe ka mundësi të ketë armë e kamera vëzhguese.
“Mendoj se duhet të vazhdohet aksioni i tillë për shkak se ende ka elemente, ende ka pajisje teknike, teknologjike, ende ka armë. Serbia një kohë të gjatë ka investuar në atë pjesë në mënyrë që nëpërmjet saj të destabilizojë atë territor, por edhe Kosovën në tërësi”, theksoi Morina.
Policia gjithashtu të mërkurën arrestoi edhe një tjetër serb, Srdjan Lazoviç, i cili dyshohet për krime kundër popullsisë civile në periudhën 1998-99 në rajonin e Gjakovës. (A2 Televizion)