Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të takohet sot në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në një rikthim të dialogut të nivelit të lartë pas 9 muajsh mungesë.
Ndërmjetësuesit, Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak, do të takohen së pari veçmas me të dy liderët, ndërsa në fund do të jetë dhe ballafaqimi Kurti-Vuçiç.
Presidenti serb ka folur përpara takimit duke thënë se nuk pret asgjë nga bisedimet.
“Pres që Kurti ta dramatizojë situatën dhe të më bërtasë derisa t’i them ndal, si zakonisht. Do të më thotë sërish ‘Putin i vogël’”, u shpreh Vuçiç për mediat serbe.
Ai shtoi se do të dëgjojë me vëmendje se çfarë kanë për të thënë ndërmjetësuesit Josep Borrell dhe Miroslav Lajçak. Vuiçiç pretendoi se në tryezë do të kenë dikë që urren shumë serbe dhe jeton vetëm për t’i dëmtuar ata. Temë kryesore është përcaktuar zbatimi i marrëveshjes së normalizimit me fokus të veçantë në bërjen e një bilanci në dialog, por edhe përcaktimi i një rruge për të ecur përpara. (A2 Televizion)