Verifikimi e konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme, Kushtetuesja shpall të pavlefshëm ligjin e premtuar nga Vetëvendosja

Nga Ideal Gola
26 Qershor 2024, 18:21 | Aktualitet

Verifikimi e konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme, Kushtetuesja

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pavlefshëm Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, një nga premtimet kryesore të Lëvizjes Vetëvendosje në zgjedhjet e vitit 2021.

Sipas vendimit të Kushtetueses, katër nene të këtij ligji bien ndesh me Kushtetutën, prandaj është hedhur poshtë me pesë vota “pro” dhe katër “kundër”.

Ligji u miratua në shkurt të vitit 2023 ndërsa Byroja i bënte subjekt të verifikimit të pasurisë që të gjithë zyrtarët publikë nëse do të kishte dyshime se ajo ishte fituar në mënyrë të kundërligjshme.

Po ashtu, me ligjin që tashmë është i pavlefshëm, parashikohej që të verifikoheshin dhe t’ju konfiskohej pasuria edhe familjarëve të zyrtarëve publike, ose personave të tretë nëse kishte dyshime se iu kishte bartur pasuria e zyrtarëve publikë.

Në vendim, Kushtetuesja tha se procedura e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme është e pavarur nga procedura penale, “standardi i të provuarit nuk është ai penal i ‘dyshimit të bazuar’, por ai civil i ‘vlerësimit të gjasave’ dhe sipas të cilit, pasuria cilësohet e pajustifikueshme, nëse gjykata bazuar në prova ‘beson që një gjë ka më shumë mundësi të jetë apo të ketë ndodhur se sa jo’”.

“Përderisa Byroja Shtetërore ka kompetencën e plotë për verifikimin dhe propozimin për konfiskimin e pasurisë, janë gjykatat ato të cilat kanë kompetencën për të vendosur nëse pasuria kontestuese i nënshtrohet konfiskimit ose jo”, thuhet në vendim.

Pas vendimit, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, përmes një reagimi, akuzoi gjyqtarët e Kushtetueses duke thënë se “ende po i shërbejnë nomenklanturës së vjetër”.

"Situata për ne është shumë e qartë, vullneti i qytetarëve për drejtësi po tentohet të përmbyset nga një grusht njerëzish që ende u shërbejnë dhe i kanë borxhe nomenklaturës së vjetër, por beteja jonë për reformë dhe shtet të së drejtës nuk do të ndalet. Byroja do të bëhet. Pasuria publike e shpërdoruar e përvetësuar do të konfiskohet. Vullneti popullor do të jetësohet", tha ajo.

Ligji për Byronë ishte dërguar në Kushtetuese nga Partia Demokratike e Kosovës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos