
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka reaguar pas një akti vandalizmi të ndodhur në ambientet e jashtme të Ambasadës së Kosovës në Berlin.
Në njoftimin e shpërndarë për mediat, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës bën të ditur se, mbi pllakatin identifikues të ambasadës janë vendosur etiketa fyese dhe me përmbajtje shoviniste në gjuhën serbe. Mbishkrimet përfshinin slogane nacionaliste dhe nxitëse, si “Nuk ka dorëzim” dhe “Kosova është Serbi”, me konotacion propagandistik dhe përçarës.
Menjëherë pas identifikimit të rastit, ambasada ka njoftuar autoritetet kompetente në Gjermani. Policia gjermane është informuar dhe pritet të ndërmarrë veprimet përkatëse, përfshirë hetimin e plotë të rrethanave dhe identifikimin e personave përgjegjës.
Ministria dënoi ashpër çdo akt vandalizmi dhe gjuhë urrejtjeje ndaj përfaqësive diplomatike të Republika e Kosovës, duke theksuar se veprime të tilla bien ndesh me normat dhe konventat ndërkombëtare që garantojnë paprekshmërinë e misioneve diplomatike.
Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar ndaj promovimit të paqes, dialogut, bashkëpunimit dhe marrëdhënieve të mira ndërkombëtare, duke vazhduar të ushtrojë misionin e saj diplomatik në përputhje të plotë me parimet dhe standardet ndërkombëtare. (A2 Televizion)