Në ditën kur shënojmë 25-vjetorin e Çlirimit të Kosovës, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar Studio-Bunkerin e Radios “Kosova e Lirë”. Ky ishte vendi prej nga përhapeshin lajmet në çdo shtëpi të shqiptarëve, nga 4 janari, deri më 21 qershor të vitit 1999.
Dikur funksiononte si zë lajmëtar i së vërtetës, por sot ky bunkeri i luftës çlirimtare është nën përkujdesjen e shtetit, tha Kurti, duke u njohur si vlerë e veçantë e luftës. Ai pritet të përurohet më 21 qershor.
“Ne dëshiruam që të vijmë ta vizitojmë këtë vend ku është transmetuar e vërteta për luftën çlirimtare, për vuajtjet e popullit, për betejat e lavdishme nga 4 janari i vitit 1999 deri më 21 qershor të vitit 1999, kur është bërë edhe raportimi i fundit i Radios “Kosova e Lirë” nga ky vend”, deklaroi ai nga maja e Pallanikut prej ku vepronte me mision të veçantë atëkohë Radio “Kosova e Lirë”.
Teksa i dëgjonte rrëfimet nga Riza Berisha, pjesëtar i ekipit të luftës të Radios në atë kohë, ushtar i UÇK-së që mori pjesë në ndërtimin e bunkerit në janar të vitit 1999, kryeministri shprehu urime dhe mirënjohje të veçanta për çlirimtarët lajmëtarë.
“Të gjithë juve që keni kontribuar, jeni angazhuar, keni sakrifikuar në një rrezik të paparë, të paimagjinueshëm, ne shprehim mirënjohjen tonë më të thellë dhe falënderimet më të larta”, tha kryeministri.
Studio-Bunkeri i Radios “Kosova e Lirë” që ishte një prej burimeve kryesor i lajmeve për shqiptarët, u ndërtua me urdhrin e shtabit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës me mision në përhapjen e të vërtetës gjatë luftës së fundit në Kosovë. (A2 Televizion)