Seanca solemne në Kuvendin e Kosovës për shënimin e 25-vjetorit të çlirimit nisi me intonimin e dy himneve.
Fillimisht i Kosovës, më pas dhe ai kombëtar, i Shqipërisë.
Kryeparlamentari kërkoi 1 minutë heshtje për të gjithë ata që u flijuan për një Kosovë të lirë, të pavarur dhe në paqe.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, doli në foltore në këtë ditë të veçantë, duke rikujtuar sakrificën e madhe të heronjve dhe domethënien e kësaj dite të madhe.
“Europa lindi me Kosovën e lirë…”, tha Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës.
Ajo vlerësoi kontributin e madh të forcave të NATO-s për lirinë e Kosovës, që kërkoi të ruhet me çdo kusht në këto kohë të vështira. Më pas, në foltore doli kryeparlamentari Glauk Konjufca, duke konfirmuar se 25 vite më parë në këtë ditë mori fund lufta gjenocidale e Serbisë.
“Duhet paqe dhe pajtim, por duke respektuar të rënët”, tha Glauk Konjufca, Kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti kërkoi që shqiptarët të bashkohen shpirtërisht dhe fizikisht për të ardhmen. Ai përmendi dhe rastin kur 25 vite më parë rusët u futën në Kosovë për të ndihmuar Serbinë, në një lëvizje që gati sa nuk nisi Luftën e Tretë Botërore, duke akuzuar Beogradin se ende mendon për të kthyer të shkuarën.
“Serbia qëndron me ushtri në kufi”, tha Kurti.
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në seancën solemne, përkujtoi të gjithë heronjt e UÇK-së, duke thënë se liria nuk është dhuratë, por ajo duhet të mbrohet. Ai përmendi sakrificën që bënë shqiptarë të shumtë nga të gjitha qytetet e deri në Çamëri.
“Të dashur vëllezër, jemi dy shtete, një komb”, u shpreh Begaj.
Presidenti shqiptar kërkoi bashkim për t’ju kundërvënë fushatës agresive të Serbisë kundër luftës për çlirim të Kosovës dhe për të mos pranuar barazi mes agresorëve dhe viktimës. Kryeparlamentarja shqiptare, Lindita Nikolla, përkujtoi të rënët për liri duke thënë se shqiptarët u bashkuan për të bërë të mundur që Kosova të jetë e pavarur.
“Çdo fitore e Shqipërisë është dhe e Kosovës”, tha ajo.
Të pranishëm në seancën solemnte ishin dhe figura të njohura që kanë ndihmuar Kosovën në çlirimin e saj si ish-sekretari i NATO-s, Lord George Robertson, ish-ambasadori amerikan i OSBE-së, William Walker, ish-presidenti kroat, Stjepan Mesić dhe Riftat Jashari. (A2 Televizion)