Parakalimi i policisë dhe ushtrisë! Kurti krenohet me FSK: Origjina jonë është UÇK

Nga Xhevahir Qardaku
12 Qershor 2024, 15:08 | Aktualitet

Këta anëtarë të ushtrisë dhe policisë së Kosovës po qëndrojnë krenarë në sheshin “Zahir Pajaziti” të Prishtinës...

Ata presin që të parakalojnë në nder të 25 vjetorit të çlirimit të vendit, kur Ushtria Çlirimtare e Kosovës bashkë me aleatët e NATO-s shpallën fitoren dhe largimin njëherë e përgjithmonë të forcave pushtuese serbe...

Përpara se të jepej urdhri, liderët shtetërorë vlerësuan sakrificën e heronjëve duke nisur nga Adem Jashari dhe të gjithë anëtarët e UÇK-së që me guximin dhe trimërinë e tyre, bën të mundur që Kosova të jetë sot një histori suksesi dhe shtet i pavarur.

“Në këtë luftë, UÇK-ja ishte shtylla jonë më e rëndësishme e shpresës. Lufta e tyre nuk ishte vetëm për token, por për vet shpirtin e Kosovës. Guximi i UÇK është një histori heroizmi që do të tregohet brez pas brezi. Ne u detyrohemi atyre me një mirënjohje”, tha Osmani.

 “Jam shumë i gëzuar që të shoh përparimin e madh të FSK-së. Kjo është arritur falë më shumë se dyfishimit të buxhetit, rekrutimit të ushtarëve të rinj, trefishimit të investimit në armatim, me dronët Bajraktar. Ushtria e Kosovës e ka origjinën nga UÇK, ku prijës e kishte Adem Jasharin. Do të doja që në këtë ditë kjo paradë e ushtarëve dhe policëve të na shërbente si nxitje për të përtërirë ndjesitë tona për liri. Liria e Kosovës erdhi përmes gjakut të dëshmorëve dhe martirëve, liria u arrit mes vuajtjesh të burgosurve politikë, në krye me Adem Demaçin”, deklaroi Kurti.

Ish-sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Lord George Robertson, shprehu krenari të madhe për atë që aleanca bëri 25 vite më parë, mbrojtjen e shqiptarëve nga regjimi kriminal serb i Millosheviçit.

“Pas 78 ditë bomardime, ne e pamë objektivitin tonë të përmbushur. Ushtria e Millosheviçit u largua, NATO hyri dhe refugjatët u kthyen në shtëpi. Jam krenar për atë çfarë kemi bërë atëherë, dhe krenar që jam sot këtu, në Kosovën multietnike dhe paqësore në zemër të Europës”, bëri me dije Robertson.

Më pas erdhi urdhri nga presidentja Osmani…

17 kuadrate të Forcës së Sigurisë së Kosovës, 7 të Policisë dhe forcave speciale parakaluan me krenari nga Sheshi “Zahir Pajaziti” përmes bulevardit Nëna Terezi për të përfunduan në Sheshin Skënderbej.

Në duar mbanin armë, ndërsa dhuruan mjaft emocione pozitive për qytetarët e shumtë të mbledhur për t’i ndjekur me krenari… (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos