
Për dhjetë ditë, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, do të qëndrojnë këto figura të pazakonta. Por, alienët nuk kanë ardhur nga hapësira për vizitë. Ata janë pjesë e një instalacioni të quajtur “Syçkym”. Tri skulptura alienësh, të veshur me kostume e me sy të mëdhenj, simbolizojnë, sipas autorit, lakminë dhe ambicien e politikanëve për pushtet.
Sipas krijuesit, Eroll Murati, politikanët janë aq të etur për pushtet dhe luks, sa kanë tërhequr edhe vëmendjen e UFO-ve.
“Edhe një fëmiut ia kemi vendos apo ja kemi fut në kry punën e politikës. Kush është ai, kush është ky. Ky e bëri këtë. Gjithçka lidhet me politikën. Unë e kam çu pak në ekstreme mendoj, këtë punën e jashtëtokësorëve që lakmia e tyre aq e madhe, këta kane zbarkuar prej gjithësisë, për arsye se lakmi shumë e madhe për punën e pushtetit”.
Nga 10 deri më 20 nëntor, alienët do të qëndrojnë në sheshin kryesor të Prishtinës, të drejtuar nga Qeveria dhe Kuvendi i Kosovës.
“Po e shihni që janë përballë parlamentit, duke shku e duke e zënë nga një vend në parlament. Pothuajse janë të interesuar për ta bërë një parti.”
Murati thotë se ka marrë reagime të ndryshme nga qytetarët, të cilët, sipas tij, janë të lodhur nga zhvillimet politike në vend.
“Janë lodhë prej politikës, janë lodhë prej ngjarjeve të ndryshme politike. Për atë arsye pak reagimet janë interesant. Atë ditë që i kam montu ekspozitat me ekipin tim, një qytetar u ndal e tha i paske bërë politikanët si jashtëtokësorë, bravo. Po ashtu nuk është koncepti, se këta kanë ardhë të bëhen politikanë. Nuk kanë qenë politikanë, po kanë ardhë të bëhen për punën e lakmisë”.
Përmes këtij instalacioni, artisti Eroll Murati dhe kuratori Zeni Ballazhi synojnë ta nxisin publikun të reflektojë mbi raportin mes qytetarëve dhe pushtetit, duke ngritur pyetje mbi përfaqësimin e interesave të qytetarëve dhe distancën mes politikës dhe realitetit të tyre të përditshëm. (A2 Televizion)