Gjykata e Posaçme e Apelit rëndoi dënimin e dhënë nga Shkalla e Parë për ish-shefin e Operacionales, Oltion Bistri, nga 2 vjet në 7vjet e 4 muaj heqje lirie. Bistri u arrestua në korrik 2023 nga operacioni “Metamorfoza”, por fitoi lirinë pas vendimit të Shkallës së Parë në nëntor 2025. Vendimi i Apelit, i formës së prerë, detyron kthimin e tij në qeli për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Në Shkallën e Parë Bistri u fajësua vetëm për “zbulim të akteve dhe të dhënave sekrete”, pas dyshimeve se kishte mbajtur kontakte të papërshtatshme me detyrën më biznesmenin Pëllumb Gjoka, ku e informonte për kontrollet policore.
Në vendimin e tij, Apeli e gjeti fajtor ish-zyrtarin e policisë edhe për “korrupsion pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “pastrim të parave” dhe dënuar me 11 vite burg. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Bistri detyrohet të kryejë përfundimisht 7 vjet e 4 muaj burg. Në të njëjtin vendim, Apeli vendosi të kalojë në llogaritë shtetit 3 apartamente, dy dyqane dhe një total prej 1 milion euro, që iu sekuestruan Bistrit gjatë hetimit.
Apeli nuk ndryshoi masat e dënimit për të pandehurit e tjerë të dosjes, të akuzuar për “sigurim kushtesh për të kryer vrasjes”. Në fuqi mbeti dënimi përfundimtar me 8 vite e 8 muaj burg për Behar Brajoviq (Bajri), ai me 7 vite burg për Edmond Prekën, 5 vite e 8 muaj burg për AstmerBilalin dhe 3 vjet e 4 muaj burg për ish-prokurorin e Kukësit, Xhevahir Lita. Kjo çështje është një nga fraksionet e dosjes “Metamorfoza”, hetim i SPAK i mbështetur në komunikimet në platformat e enkrimtuara “SKY ECC” dhe “Encro Chat”. Hetimi ekspozoi përfshirjen në kriminalitet të zyrtarëve të lartë të policisë dhe të drejtësisë. (A2 Televizion)